Partia Demokratike duket se pas miratimit të Reformës Zgjedhore, do të vazhdojë të kërkojë zgjedhje të parakohshme.
Pas përfundimit të takimit të Këshillit Politik, përfaqësuesi i PD-së, Oerd Bylykbashi tha se pas mbylljes së reformës më 31 maj “do t’i drejtohemi menjëherë betejave të tjera politike për konfirmimin e legjitimitetit të pushtetit që është vetëm nëpërmjet zgjedhjeve”.
Zoti Bylykbashi e akuzoi shumicën se po përpiqet të bllokojë përfundimin e reformës zgjedhore me konsensus:
“Deklaratat e zotit Gjiknuri tregojnë edhe njëherë mungesën e vullnetit politik të maxhorancës për të bërë një punë të bazuar në konsensus në Komisionin e Reformës.
Është maxhoranca që deri më sot nuk ka dhënë asnjë përgjigje në lidhje me çështjet e shtruara përveçse refuzimeve të menjëhershme sapo kemi bërë propozime.
Loja e maxhorancës për ta tërhequr zvarrë me çështje të tjera shtesë nuk ndihmon procesin. Por ne jemi të gatshëm që në këto tre javë që pothuajse mbeten të ecim përpara.
Ne i kemi të qarta pozicionet tona, tani duhet që maxhoranca t’i hapë rrugën propozimeve për të shkuar më tej, tek KQZ-ja apo çështjet e tjera”.