Përfaqësuesit e opozitës në Këshillin Politik, Oerd Bylykbashi e Petrit Vasili akuzuan kryeministrin Rama se po mundohet me çdo truk për të zvogëluar humbjen në zgjedhje, edhe pse po rrezikon integrimin europian të vendit,
Në një konferencë për shtyp, pak orë pasi Rama deklaroi se të hënën, parlamenti do të votojë ndryshimet e Kodit Zgjedhor, Bylykbashi u shpreh:
“Me votimin e nesërm, të bazuar mbi miratimin e njëanshëm, Rama shkatërron marrëveshjen e 14 janarit, konsensusin e Këshillit Politik dhe 5 qershorin.
Ndërhyrjet e nesërme do të krijojnë konfuzion, si do të funksionojë sistemi zgjedhor. Bëhet se si Rama të reduktojë humbjen e tij në zgjedhjet e ardhshme. Asnjë truk nuk do të ndalë atë që më 25 prill do te jetë fundi politik, dhe fitoren e opozitës.”
Bylykbashi theksoi dhe se nene të veçanta të Kodit që do të miratohen nesër, bien ndesh me rekomandimet e OSBE/ODIHR.
Ndërsa Petrit Vasili i LSI-së tha se Rama po mundohet që të shmangë ‘votimin e lirë e të ndershëm në 25 prill. Ai theksoi se miratimi i njëanshëm i ndryshimeve kushtetuese ‘varros integrimin europian të vendit’:
“Me votimin e nesërm hapje negociatash nuk ka.”
Pak orë më parë, kryeministri Rama njoftoi se parlamenti do të miratojë nesër ndryshimet në Kodin Zgjedhor, pavarësisht nëse ka dakordësi mes palëve apo jo.