PD është ende peng e Gërdecit – Koment

Nga Rigers Lako
PD është ende peng e Gërdecit – Koment

Ka mjaftuar një mesazh tekst për ish-Kryeministrin Berisha nga Ministri Damian Gjiknuri për të ndezur një histeri të tërë në Kuvend nga ana e PD-së, e cila ka degjeneruar me sharje e fyerje mes palëve.

Gjiknuri i ka bërë insinuatë Berishës për përfshirjen e të birit në aferën e Gërdecit. Kaq ka mjaftuar që Berisha të rrëmbejë foltoren më të lartë politike të vendit për të mohuar prej andej përfshirjen e të birit, madje duke e shpallur atë viktimë të represionit të prokurorisë.

Fjalën e tij e kanë ndërprerë me thirrje ofenduese deputetët e shumicës, të cilave Berisha u është përgjigjur me fyerje e sharje, të cilat janë pasuar nga fyerje e sharje në drejtim të tij, në mënyrë më të spikatur dhe më vulgare nga deputeti Taulant Balla.

Situata ka dalë jashtë kontrollit dhe ka përfunduar në tentativa për përleshje fizike nga deputetët opozitarë dhe akte vandaliste prej tyre, përfshi shkuljen e mikrofonave në sallë. Më aktivi në shtyrjen fizike dhe shkuljen e mikrofonave ka qenë ish Ministri i Brendshëm Flamur Noka.

Që PD, e cila kërkon të vijë në pushtet si alternativë shprese ndaj korrupsionit dhe kriminalizimit të qeverisë, të radikalozohet në këtë masë në mbrojtje të ndoshta aktit më kriminal korruptiv të shtet-kapjes në këtë çerek shekulli, është fatkeqësi për të dhe lajm shumë i keq për qytetarët.

Gërdeci është një pikë e zezë në karrierën e shkuar të shumë politikanëve të PD-së, por Gërdeci nuk duhet te kushtëzojë rrugën drejt të ardhmes së PD-së. Edhe pse PD nuk pati asnjëherë kurajon politike të bëjë drejtësi për Gërdecin, edhe pse ajo nuk ka patur asnjëherë kurajon morale ta denoncojë atë, të paktën duhet të ketë turpin dhe përunjësinë të mbyllë gojën për Gërdecin. Pastaj duhet të hedhë hapin e vërtetë që politikanët e përfshirë direkt apo indirekt në historinë e Gërdecit të mos jenë më pjesë e politikës të saj publike.

Në një kuptim më të gjerë, PD duhet të shkëputet nga të gjithë Gërdecët e saj. Figurat e korruptuara dhe injorante të qeverisjes së saj nuk mund të jenë figurat e betejës për të ardhmen, veçanërisht përpjekjeve kundër korrupsionit, klientelizmit dhe kriminalizimit të qeverisë. Jo vetëm sepse i bëjnë të pabesueshme përpjekjet e PD-së, por mbi të gjitha sepse këto figura e relativizojnë keqqeverisjen aktuale.

Edhe pse çdo vjedhje e krim është para së gjithash vjedhje edhe krim pavarësisht pasojave, fatkeqësisht shumë njerëz janë të prirur të mendojnë që, përshembull, konçensioni i check-up-it mjekësor i qeverisë së sotme është një aferë më pak e korruptuar se ajo e Gërdecit. Ndaj, për rrjedhojë qeveria e sotme nuk duhet gjykaur aq keq sa e djeshmja që u rrëzua nga pushteti.

Kjo është në fakt arsyeja që, dje në Kuvend, me qëllim tinzar e zgjuarsi deputetët e shumicës bën çështje diskutimi Gërdecin. Ani pse Kryeministri Rama ka mbajtur të njëjtin qëndrim për Gërdecin sikurse edhe PD – fajtori kryesor i tragjedisë së Gërdecit, mik i Kryeministrit Rama, u shpërblye me disa leje ndërtimi para pak muajsh sapo doli nga burgu.

Në fakt aktet kurruptive janë e njejta gjë. Gërdeci është më i famshëm thjesht sepse korrupsioni çoi në tragjedi jetësh njerëzore. Ndaj PD, edhe pse duket që nuk ka ende asnjë reflektim moral për Gërdecin, ka minimalisht detyrimin politik ndaj qytetarëve t’ja heqë alibinë e Gërdecit hajdutëve të sotëm. Kjo kërkon së pari shmangjen e qëndrimeve të turpshme të larjes së duarve apo mbrojtjes publike ndaj Gërdecit.

 

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>