Partia Demokratike ka denoncuar, të premten, rastin e një familjeje, shtëpia e së cilës është dëmtuar nga tërmeti i 26 nëntorit, por ende vazhdon të jetojë në çadër.
Përmes një videoje, banorja e Lezhës Albina Vuka deklaroi për PD-në se ka 10 muaj që bashkë me tre fëmijët dhe burrin e sëmurë me karrocë, jetojnë në çadër dhe kontenier.
Ajo tregoi se në muajt e fundit, për shkak të temperaturave të larta dhe vështirësive të jetesës në çadër, është detyurar që të futet sërish në shtëpinë e dëmtuar, duke vënë jetën e saj dhe fëmijëve në rrezik.
Shtëpia e familjes Vuka është vlerësuar nga ekspertët si banesë e dëmtuar DS4, pra e pabanueshme dhe që duhet të rindërtohet nga shteti. Por deri më tani, sipas Albina Vukës, nuk ka pasur asnjë veprim nga shteti për t’i ofruar familjes së saj një shtëpi të re.