Partia Demokratike denoncoi sot se Bashkia Krujë nuk po mbulon plotësisht me qira mbi 100 familje të Thumanës, të cilave iu prishën shtëpitë nga tërmeti i 26 nëntorit.
Në një takim me përfaqësuesit e PD-së, banorët pohuan se bashkia i ka dhene vetem 30 mijë lekë të vjetra për qira, ndërkohë që u është thënë që pas datës 3 janar të lëshojnë hotelet ku janë vendosur përkohësisht. Banorët paralajmëruan protesta deri dhe grevë urie, pasi janë përballur me burokraci dhe mungesë totale informimi.
Përfaqësuesit e PD-së, Gazment Bardhi, Albana Vokshi, Lindita Metaliaj dhe Gent Strazimiri theksuan se “opozita do të jetë zëri i tyre, duke mos lejuar që propaganda qeveritare të mbysë të vërtetën”.
“E para, të vijnë t’ju takojnë dhe t’ju informojnë se çfarë do të bëhet me ju. E dyta, Këshilli Bashkiak të rrisë menjëherë bonusin për qiratë. Me 30 mijë lek nuk merret dot shtëpi me qira. Në qoftë se ata mendojnë se ju mund të gjeni shtëpi me qira me 30 mijë lekë, atëherë të lirojnë shtëpitë e tyre. E treta, nëse nuk kanë besim, t’jua gjejnë vetë shtëpinë me qira dhe bashkia ose qeveria ta paguajë vetë atë.”
Me dakordësinë e banorëve përfaqësuesit e PD-së morën përsipër t’i drejtonin letër qeverisë dhe bashkisë Krujë për të zgjidhur çështjen.