Përfaqësuesi i PD në Këshillin Politik, Oerd Bylybashi ka hedhur poshtë tezën e kryeministrit Rama dhe shumicës socialiste se modeli aktual i koalicioneve nuk përdoret në asnjë vend tjetër, ndaj duhet të hiqet.
Në një konferencë për shtyp, pak orë pasi Rama deklaroi se të hënën, parlamenti do të votojë ndryshimet e Kodit Zgjedhor, Bylykbashi u shpreh se Italia fqinje, që prej vitit 1995 mban zgjedhje me këtë formulë koalicionesh.
Po të njëjtën formulë koalicionesh ka përdorur dhe Franca e Belgjika, vende anëtare të BE-së, nga të cilat Shqipëria e ka kopjuar si model në vitin 2003.
“Nga 1995, Italia aplikon listën e përbërë në nivel rajonal dhe të përbërë. Modeli [aktual i koalicioneve] është përdorur në Francë apo Belgjikë. Por një model i madh është Italia. Bie teza e Ramës që thotë se ky model nuk ekziston askund.”
Kryeministri Rama kërkon heqjen e formulës aktuale të koalicioneve ku secila parti kandidon me listën e saj, por si pjesë e një koalicioni partish.
Sipas ndryshimeve që shumica socialiste ka propozuar dhe priten të votohen nesër, partitë, nëse duan të jenë në një koalicion, duhet të hartojnë një listë të përbashkët kandidatësh.