
Partia Demokratike i ka kërkuar Prokurorisë Speciale Anti Korrupsion të hetojë koncesionin e Portit të Durrësit, fituese e së cilës është një kompani offshore, të cilës nuk i dihen pronarët.
Në një deklaratë për shtyp, kreu i PD-së në Durrës Ferdinand Xhaferri akuzoi qeverinë për korrupsion në procesin e tenderimit të këtij koncesioni.
Xhaferraj i drejtoi disa pyetje qeverisë lidhur me pronarët e kompanisë që fitoi koncesionin:
“Kush e zotëron këtë kompani?
Ai ka detyrimin tu thotë shqiptarëve çfarë fshihet pas kësaj kompanie? Pse nuk respekton detyrimin ligjor që të tregojë kush janë përfituesit fundor të këtij koncensioni?
Si është e mundur që ky aset i sigurisë kombëtare t’i jepet një kompanie që nuk i dihen pronarët?”
Ai tha se të gjithë e dinë që Rama nuk jep përgjigje, ndaj këtë duhet ta bëjë prokuroria:
“Është e natyrshme që askush nuk pret përgjigje nga Rama edhe për këto dy muaj, se ai nuk ka dhënë përgjigje për 8 vjet. Por ne presim përgjigje nga SPAK-u.”
PD ka denoncuar prej disa ditësh korrupsionin në koncesionin 30 milionë euro të Portit të Durrësit. Sipas saj, në tender nuk s’ka pasur konkurrencë dhe qeveria ia ka dhënë tenderin pa konkurs kompanisë malteze ‘Hili Company Limited’, e denoncuar si e përfshirë në skandalin e ‘Panama Papers’.