Partia Demokratike i ka kërkuar SPAK-ut të hetojë tenderin për rrugën Korçë-Ersekë, pasi ka dyshime për abuzime.
Përmes një deklarate për shtyp, të mërkurën, Sekretari i Burimeve Njerëzore Ervin Minarolli deklaroi se qeveria Rama ‘ka bërë një supervjedhje me rrugën Korçë-Ersekë.’
Sipas tij, plani për këtë rrugë ka qenë gati dhe kostoja e llogaritur ka qenë një milionë euro për një kilomtër, ndërsa tani kostoja është 5-fishuar:
“4 kilometra rrugë do të kushtojnë 20 milionë euro, në vend të 4 milionë eurove, siç e gjetën gati projektin 8 vjet më parë.”
Për më tepër, PD paralajmëroi se fituesi i tenderit është paracaktuar nga qeveria:
“Rruga është një supervjedhje, sepse fituesi ishte i paracaktuar.Është miku i Edi Ramës, që ne e paralajmëruam më 1 Tetor se do të fitonte tenderin.”
Minarolli i bëri thirrje SPAK-ut që të nisë sa më parë hetimet dhe ‘të mos flerë mbi milionat që u vidhen shqiptarëve çdo ditë.’