Partia Demokratike kallëzoi sot në prokurori projektin e Unazës së Re dhe kërkoi pezullimin e punimeve deri në përfundim të hetimeve.
Kallëzimin e PD-së e paraqiti ish-deputeti Klevis Balliu dhe Sekretari për Çështjet Ligjore Çlirim Gjata. Zoti Balliu tha për mediat se “projekti ka qëllim kullat, vjedhjet dhe jo rrugën”:
“Unë ju bëj një pyetje […] si ka mundësi që kompania Salillari e cila është aktualisht nën hetim tek Loti 2, ka fituar tenderin tek Loti 1, i të njëjtit projekt?”
PD thotë se në projektin e Unazës së Re janë shkelur ligji për sponsorizimet, ligji për ndërtimet e veprave publike dhe nuk është bërë konsultimi me qytetarët.
Ish-deputeti Balliu tha se “kompania AVE Consulting ka bërë studimin teknik pa pasur gjeodet dhe në punën e saj ishte në konflikt interesi pasi më parë ishte kontraktuar për të përmbyllur procedurat e legalizimit të objekteve informale”.
Përfaqësuesit e PD-së i kërkuan Prokurorisë hetimin e plotë dhe pezullimin e punimeve siç u bë në rastin e falsifikimeve nga kompania DH Albania.