Partia Demokratike i kërkoi sot Kolegjit Zgjedhor pezullimin e shpërndarjes së mandateve për Këshillat Bashkiakë të dalë nga zgjedhjet e 30 qershorit.
PD kërkon ndaljen e këtij procesit deri sa Gjykata Kushtetuese të vendosë për ligjshmërinë e dy dekreteve të Presidentit Meta, dekretit që anulonte datën 30 qershor si datën e zgjedhjeve dhe dekretit që vendos datën 13 tetor si datën e zgjedhjeve.
Po ashtu, PD i kujtoi Kolegjit se Shoqata e Kryebashkiakëve ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për kushtetueshmërinë e votimeve të 30 Qershorit, ndaj pa u shqyrtuar kjo çështje, nuk mund të shpërndahen mandatet.
Me anë të një letre, Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazmend Bardhi iu drejtua Kolegjit Zgjedhor:
“Sa kohë janë në fuqi dekretet për zgjedhje në 13 tetor, mandatet e këshilltarëve bashkiakë nuk mund të shpërndahen. Janë fituar në votime të padekretuara nga Presidenti.
Shoqata e Bashkive ka depozituar në Gjykatën Kushtetuese një kërkesë për kushtetueshmërinë e votimeve të 30 Qershorit. Pa u shqyrtuar çështja në Gjykatën Kushtetuese, Kolegji Zgjedhor ka pengesë ligjore për të bërë shpërndarjen e mandateve të Këshillave monopartiake Bashkiake.”
PD i kujtoi Kolegjit Zgjedhor se vendimet e marra prej tij deri tani janë të pambështetura në ligj dhe të motivuara politikisht, pasi vetëm Gjykata Kushtetuese është institucioni që mund të shqyrtojë mënyrën e ushtrimit të kompetencave nga Presidenti, përfshirë dhe dekretet e zgjedhjeve.
Dhënia e mandateve për Këshillët Bashkiakë, sipas PD-së, do t’i kthente këshillat në monopartiakë, duke dëmtuar kështu demokracinë. Për këtë arsye, PD i kërkoi Kolegjit Zgjedhor që të mos i shërbejë interesit politik të kryeministrit Rama, por qytetarëve.
Kjo letër i është dërguar dhe OSBE/ODIHR-it, ONM-së, BE-së, si dhe ambasadave kryesore në Tiranë.