Partia Demokratike i kërkoi sot prokurorisë të verifikojë kryebashkiakun socialist të Vaut të Dejës Mark Babani, pasi ka dyshime se ai është ndaluar dhe dënuar në Itali e Maqedoni, dhe ka pasur tre identitete të rreme.
Këto të dhëna Babani nuk i ka bërë publike në formularin e vetëdeklarimit
Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi, në një njoftim për median, shkruan:
“Mark Babani dyshohet se ka qenë i arrestuar/ndaluar në Itali gjatë periudhës 1994 -1999 dhe, më pas, ndaj tij është marrë masa e dënimit dhe dëbimit nga autoritetet përgjegjëse italiane.
Nga ana tjetër, të dhëna të bëra publike më parë tregojnë se ai ka qenë i arrestuar/ndaluar dhe më pas dënuar edhe në Republikën e Maqedonisë së Veriut gjatë periudhës 2002-2003.”
Ngjashëm si në rastin e Agim Kajmakut që nuk kishte udhëtuar në Greqi për 10 vite dhe më pas rezultoi i dënuar aty – dhe Mark Babani nuk ka udhëtuar në Itali për 10 vite, ku më parë ka jetuar.
“Në Formularin e Vetëdeklarimit shtetasi Mark Babani ka deklaruar se ka jetuar për 5 vite në Itali.
Nga verifikimi i të dhënave të sistemit TIMS rezulton se shtetasi Mark Babani nga periudha 1994 – 2005 nuk ka udhëtuar në asnjë rast të vetëm në drejtim të Italisë me identitetin e tij real, çka përbën një indicie për saktësinë e të dhënave të bëra publike më parë”, sqaron Partia Demokratike.
Po ashtu, Mark Babani ka deklaruar në formularin e vetëdeklarimit se ka ndryshuar njëheherë identitetin në Mark Ndoc Babaj, me datëlindje 24.12.1966.
Por sipas PD-së, Mark Babani, në mënyrë ilegale ka mbajtur edhe disa identitete të tjera, të padeklaruara në Formularin e Dekriminalizimit, si më poshtë:
- Mark Ndoc Babani, i datëlindjes 24.12.1965
- Marq Saimir Babaj, i datëlindjes 11.06.1967
- Ylli Saimir Babaj, i datëlindjes 02.11.1968.
Mark Babani është kryebashkiaku i tretë i dalë nga zgjedhje i dënoncuar nga opozita për të shkuarën kriminale, pas Valdrin Pjetrit të Shkodrës dhe Agim Kajmakut të Vorës.
Në rast se akuzat e opozitës verifikohen nga prokuroria, Mark Babani nuk mund të shërbejë më si kryebashkiak dhe duhet të ndiqet penalisht nga prokuroria.
Sipas nenit 5 të ligjit të Dekriminalizimit, fshehja e dënimit në formularin e dekriminalizimit përbën vepër penale:
“Formulari i vetëdeklarimit plotësohet vetëm nga personi që është subjekt i këtij ligji. Deklarimi i rrethanave të rreme ose të shtrembëruara përbën vepër penale, sipas nenit 190 të Kodit Penal.”
Kjo vepër, sipas Kodit Penal “dënohet me burgim nga gjashtë muaj deri në katër vjet.”
Mark Babani i mohoi menjëherë akuzat e PD-së, në një lidhje telefonike për Televizionin OraNews:
“Gjithë jetën as babai im e as unë nuk i kemi bërë 24 orë burg. Gjithë jetën kam mbajtur emrin Mark Babani.”