Partia Demokratike kundërshton hapjen e listave të kandidatëve për deputetë.
Përmes një deklarate për median, PD shkruan se mbështet diskutime për rishikimin e sistemit zgjedhor, por mendon se nuk është kjo koha e përshtatshme.
PD kërkon me ngul zbatimin e marrëveshjes se 5 qershorit me PS-në ku nuk përfshihet ndryshimi i sistemit zgjedhor dhe hapja e listave:
“Palët në Këshillin Politik kanë firmosur marrëveshjen për Reformën Zgjedhore më 5 qershor, me ndërmjetësimin dhe mbështetjen e SHBA dhe BE. Partia Demokratike nuk është kundër diskutimit për rishikimin e sistemit zgjedhor, por kjo kërkon një reformim të plotë të sistemit kushtetues për të cilën PD ka një propozim konkret.
Megjithatë, kjo nuk mund të ndodhë në kushtet e kriminalizimit të parlamentit dhe të qeverisjes, në kushtet e blerjes së votës nga pushteti dhe mosndëshkimit të këtij krimi nga drejtësia.
Reforma kushtetuese, ku përfshihet edhe çdo ndryshim i mundshëm i sistemit zgjedhor nuk mund të jetë një pazar i fundit të korrikut.
Ky proces duhet të jetë transparent dhe vendimmarrja duhet t’u përkasë qytetarëve, përmes referendumit popullor.
Hapja në këtë moment, e diskutimit për sistemin zgjedhor është vetëm alibi e Edi Ramës për të vonuar kodifikimin në parlament të dakortësisë së 5 qershorit.
Çdo veprim i njëanshëm në këtë drejtim do të përbënte prishje të marrëveshjes konsensuale të 5 qershorit, me pasoja për vendin dhe të ardhmen europiane të Shqipërisë.”
Ndërkohë po në 9 korrik, shumica socialiste është shprehur e gatshme të diskutojë me opozitën parlamentare hapjen e pjesshme të listave të kandidatëve për deputetë.