Partia Demokratike akuzoi sot kryeministrin Rama se kërkon të zgjasë gjendjen e jashtëzakonshme për të mbuluar dështimin e tij për t’ju përgjigjur qytetarëve të prekur dhe për të shtyrë zbatimin e Reformës Zgjedhore.
Në një deklaratë për median, opozita shkruan se me zgjatjen e gjendjes së jashtëzakonshme edhe për 3 muaj të tjerë, qeveria nuk i shërben qytetarëve të prekur nga tërmeti, por axhendës politike të Edi Ramës:
“Propozimi i Edi Ramës që gjendja e fatkeqësisë natyrore të zgjasë deri në Mars 2020 nënkupton që qytetarët do të mbahen peng dhe deri atëherë Qeveria nuk do t’i ofrojë asnjë zgjidhje. Qytetarët e prekur nga tërmeti i 26 Nëntorit 2019, kanë nevojë urgjente për zgjidhje.
Për Partinë Demokratike është e rëndësishme që qytetarët të qartësohen sa më parë, që Qeveria të prezantojë menjëherë masat për mënjanimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore, që Qeveria të mos shtyjë zgjidhjen e situatës, por të planifikojë fondet e mjaftueshme financiare për t’i dhënë zgjidhje qytetarëve. Kjo duhet të bëhet tani, pa asnjë shtyrje, pa asnjë zgjatje.”
PD shkruan se qeveria Rama ka dështuar për t’i shërbyer në kohë qytetarëve të prekur nga tërmeti dhe ka treguas së është e paaftë të përballojë fatkeqësitë natyrore:
“Për një qeveri, e cila nuk ka si prioritet përfitimet politike dhe financiare nga fatkeqësia e mijëra njerëzve, 30 ditë janë të mjaftueshme për t’u rikthyer qytetarëve sigurinë për banesat, për të bërë planin për strehimin e përkohshëm të të gjithë të prekurve dhe planin për rindërtimin e banesave, shkollave dhe spitaleve të dëmtuar.
Këtë afat Edi Rama e përdori për show dhe jo për ofrimin e zgjidhjeve në dobi të qytetarëve të prekur nga tërmeti. Asnjë plan i prezantuar, asnjë masë konkrete e marrë, vetëm fjalë boshe, identike me fjalët boshe pas tërmetit të Qershorit 2019 në zonën e Korçës dhe tërmetit të 21 Shtatorit.”
PD e quan kërkesën e Ramës për zgjatjen e gjendjes së jashtëzakonshme si mënyrë për të fshehur krizën e rëndë politike në vend, duke keqpërdorur krizën pas tërmetit, të shkaktuar, në një masë të madhe, nga korrupsioni shtetëror dhe paaftësia për të menaxhuar situatën.
Po ashtu, PD pretendon se me këtë kërkesë, “Edi Rama synon të pengojë implementimin e Reformës Zgjedhore dhe zgjidhjen e krizës politike, siç Bundestagu kërkon, përmes zgjedhjeve të parakohshme, të përgjithshme dhe vendore, pasi Kushtetuta i ndalon ato, për sa kohë vendi është në një situatë të tillë.”
Sot, qeveria i kërkoi Kuvendit zgjatjen e gjendjes së fatkeqësisë natyrore deri në fund të muajit mars.
Kërkesën do ta shqyrtojë Komisioni për Sigurinë Kombëtare dhe sipas mediave do të kërkohet që gjendja e fatkeqësisë natyrore të zgjatet deri më 31 mars 2020.