Partia Demokratike ka dërguar një propozim të ri për zgjedhjen e anëtarëve të Komsionit Qëndror të Zgjedhjeve.
Ndryshe nga propozimi i parë ku ishte Avokati i Popullit që shpallte, mblidhte dhe vlerësonte kandidaturat për të tre shkallët e KQZ-së, tani këtë rol e luan Kuvendi. Praktikisht e gjithë procedura e përzgjedhje së anëtarëve të KQZ-së së re do të zhvillohet brenda kuvendit.
Exit News sjell më poshtë procedurën e përzgjedhjes sipas propozimit të ri:
– Kryetari i Kuvendit shpall thirrjen për paraqitjen e shprehjes së interesit për të gjitha pozicionet në KQZ-në e re.
– Kryetari i Kuvendit ngre një Komision për vlerësimin e përmbushjes së kritereve nga kandidatët. Komisioni përbëhet nga 3 anëtarë, 2 nga shumica dhe 1 anëtarë nga opozita, sipas rezultatit të zgjedhjeve të përgjithshme pararendëse. Partitë duhet të dërgojnë si propozime persona me profesion jurist, me eksperiencë pune jo më pak se 5 vjet.
– Ky komision përpilon një listë me kandidatët të cilët plotësojnë kriteret për secilin pozicion dhe një listë me kandidatët të cilët nuk i plotësojnë këto kritere. Listat i dërgohen Kryetarit të Kuvendit.
– Më pas Kryetari i Kuvendit ngre Komisionin Ad Hoc të Përzgjedhjes, që përbëhet nga 5 anëtarë, 3 të shumicës dhe 2 të pakicës sipas rezultatit të zgjedhjeve të përgjithshme pararendëse. Partitë duhet të dërgojnë si propozime persona me profesion jurist, me eksperiencë pune jo më pak se 10 vjet. Avokati i Popullit merr pjesë si vëzhgues në mbledhjet e Komisionit Ad Hoc të Përzgjedhjes.
– Komisioni Ad Hoc i Përzgjedhjes përpilon listën finale të kandidatëve të propozuar për secilin pozicion në KQZ dhe ia përcjell Kryetarit të Kuvendit. Lista kalon për votim në komisionin e ligjeve dhe më pas në Kuvend.