Partia Demokratike akuzoi qeverinë Rama se edhe pse ka kaluar një vit nga tërmeti i 26 nëntorit, ende nuk është bërë asgjë për shkollat e dëmtuara.
Në një deklaratë për media nga Kombinati në Tiranë, zëdhënësja e PD-së Ina Zhupa u shpreh:
“Ende sot banorët vuajnë pasojat, duke zhvilluar mësimin me 4 turne në shkollat e kombinatit. Pasi për shkollat që janë dëmtuar nga tërmeti nuk është bërë asgjë për ti rregulluar. Nuk është bërë asgjë për të filluar rikonstruksionin e tyre, apo shembja e tyre nëse do të mendohet ë përshtatshme për të ndërtuar të reja. Është lënë një vit pa bërë asgjë.”
Zhupa theksoi se nxënësit janë të detyruar bashkë me prindërit e tyre, të përballojnë mësimin me 4 turne në shkollat ekzistuese të Kombinatit, teksa vendi po përballet dhe me pandeminë e Covid-19, e cila ka diktuar distancimin social dhe në shkolla.
Zhupa akuzoi qeverinë se po shpenzon miliona euro për inceneratorët, për tendera, për PPP korruptive, ndërsa nxënësit janë të braktisur në mëshirë të fatit.