Partia Demokratike kërkoi sot nisjen e hetimeve ndaj komisionit vlerësues të dëmeve që shkaktuan tërmetet e qershorit në fshatin Floq të Korçës.
Përmes një deklarate për shtyp të degës lokale në Korçë, PD akuzoi anëtarët e komisionit vlerësues se po përjasthojnë nga procesi dhjetëra familje për arsye politike dhe korruptive:
Dega lokale e PD Korçë i kërkon Prokurorisë të nisë menjëherë hetimin kryesisht për shpërdorim detyre, për anëtarët e komisionit të vlerësimit të dëmeve, të Bashkisë dhe personave përgjegjës në institucionin e Prefektit.
Ky grup zyrtarësh duhet të përgjigjet penalisht, pasi kanë përjashtuar nga procesi, për arsye politike dhe klienteliste dhjetëra familje, duke favorizuar, sipas denoncimit publik të banorëve, kundrejt ryshfetit, ata që kanë shtëpi të dytë, apo nuk janë në nevojë emergjente për strehim!
Rreth 100 tërmete u regjistruan në fshatrat Floq, Qafëzezë, Vivodë dhe Dvoran të Korçës në fillim të muajit qershor.
Tërmeti i parë, dhe më i fuqishëm, u ndje më datë 1, ndërsa lëkundjet vazhduan edhe për rreth tre ditë të tjera. Kjo seri tërmetesh dëmtoi krejtësisht rreth 60 shtëpi dhe la mbi 200 banorë të pastrehë, të cilët kaluan netët në çadra.
Shumica vazhdojnë të jenë të shpërngulur nga shtëpitë dhe të vendosur në shkolla.
Qeveria premtoi rikonstruktimin përpara dimrit, por gjatë 3 muajve të verës është rikonstruktuar vetëm 1 shtëpi – katër të tjera janë në rindërtim.
Për këtë situatë të krijuar demokratët akuzojnë qeverinë se nuk shmangu burokracitë, lejoi korrupsionin duke mos vepruar në transparencë, lejoi abuzimet me detyrën dhe gjithashtu nëpërkëbjet e banorëve:
Se cila është procedura e ndjekur ndaj kompanive të përfshira, është aspekt, ku mungesa e transparencës, rkijon bindjen e abuzimeve dhe përfitimit të paligjshëm.