PD përshëndet mosdekretimin e ndryshimeve të Kodit Zgjedhor

Nga Exit News
PD përshëndet mosdekretimin e ndryshimeve të Kodit Zgjedhor

Partia Demokratike ka përshëndetur, të premten vendimin e presidentit Meta për të mos dekretuar ndryshimet e Kodit Zgjedhor të 5 tetorit dhe për t’i kërkuar Komisionit të Venecias opinion për to.

Sekretari i Përgjithshëm i PD-së Gazment Bardhi, në një konferencë për shtyp, e quajti këtë vendim  si hap dhe mundësi e rëndësishme, në drejtim të rikthimit të paqes publike dhe klimës zgjedhore në vend.

Bardhi i quajti miratimin e ndryshimeve kushtetuese të 30 korrikut dhe ndryshimet e Kodit Zgjedhor të 5 tetorit, si ndërhyrje të njëanshme dhe brutale të shumicës socialiste në Kushtetutë.

Ai tha se si ndryshimet kushtetuese ashtu dhe ato të Kodit Zgjedhor, binin ndesh me marrëveshjen e 5 qershorit.

“Një akt i tillë, i ndërmarrë nga ana e mazhorancës së kapluar nga paniku i humbjes zgjedhore, përveçse minon klimën parazgjedhore, synon qartazi deformimin e rezultatit zgjedhor në tavolinë,” u shpreh Bardhi.

Ai theksoi se akte te tilla, të marra në verbëri politike, komprometojnë rëndë interesin publik dhe, mbi të gjitha, rrugën integruese të Shqipërisë.

Adresa juaj e emailit nuk do bëhet publike.

Lajme te ngjashme