Partia Demokratike ka paraqitur një tjetër propozim në lidhje me zgjedhjen e anëtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
PD ka propozuar që anëtarët e KQZ të zgjidhen nga një komision parlamentar, ku opozita do të ketë një përfaqësues të vetin me të drejtë vetoje. Ky përfaqësues zgjedh 2 nga 5 anëtarët e trupit rregullator dhe 2 nga 5 anëtarët e trupit të apelimit. Emrat më pas kalojnë në Kuvend për tu votuar.
Në lidhje me përzgjedhjen e Komisionerit, do jetë mazhoranca ajo që do të propozojë 4 emra, më pas opozita përzgjedh 2 prej tyre, të cilët shkojnë në Kuvend për tu votuar.
Më herët PD propozoi dy variante për përzgjedhjen e anëtarëve të KQZ. Fillimisht u propozua që anëtarët e KQZ-së, të përzgjidhen nga Avokati e Popullit, por kjo nuk u pranua nga PS. Në propozimin e dytë gjithë procedura e përzgjedhjes së anëtarëve të KQZ-së së re do të zhvillohet brenda kuvendit.
Exit News ka shpjeguar këtu propozimin e parë të opozitës dhe këtu propozimin e dytë të saj.