Partia Demokratike akuzoi qeverinë se në 7 javë ka shpërndarë vetëm 10 milionë euro dhe jo qindra milionë sikurse premtoi për ndihma ekonodmike.
Në një intervistë për mediat, ish-deputetja Jorida Tabaku u shpreh të premten se transaksionet e Thesarit tregojnë se qeveria po gënjen pasi nuk ka qindra miliona euro të hedhura në ekonomi, por vetëm 10 milionë euro.
Tabaku e konsideroi pagën minimale prej 26 mijë lekësh në këto 7 javë të epidemisë lëmoshë dhe thërrime të papërfillshme për ekonominë.
Ish-deputetja theksoi se paketa e dytë, e cila parashikon ndihmë ekonomike me 40 mijë lekë, nuk është nisur ende të zbatohet.
Qeveria ka deklaruar se do të mbështesë me 360 milionë euro ekonominë me disa paketa financiare, por që opozita thekson se aktualisht është zbatuar vetëm 1/5-ta e paketës së parë ekonomike.