Partia Demokratike denoncoi sot abuzimet miliona euroshe të qeverisë në lidhje me inceneratorët e Tiranës, Fierit dh Elbasanit. Përmes ish-deputetes Jorida Tabaku demokratët akuzuan qeverinë se ka fshehur me 118 milionë euro koston reale të inceneratorit në kryeqytet dhe u ka dhënë 44,3 milionë euro kompanive pa vënë ende në punë impiantet.
Duke iu referuar raportit të Kontrollit të Lartë të Shtetit për PPP-ët, ish-deputetja Tabaku tha:
“Kontrolli i Lartë i Shtetit ka zbuluar se qeveria e Edi Ramës ka manipuluar shifrat për kostot e PPP-ve, veçanërisht për inceneratorin e Tiranës. Për këtë incenerator shqiptarët nuk do të paguajnë 178 milionë euro, siç ishte deklaruar më parë në kontratë, por 118 milionë euro më shumë. Gjithsej 296 milionë euro për një koncesion, pronarët e vërtetë të cilit janë të fshehur në parajsa fiskale.”
Prej vitit 2015 qeveria ka mbështetur industrinë e grumbullimit dhe djegies së mbetjeve duke u dhënë dritën jeshile inceneratorëve në Elbasan, Fier dhe Tiranë. Këto impiante iu dhanë kompanive: Albtek Energy (Elbasan); Integrated Technology Services (Fier); Integrated Energy B.V (Tiranë).
Tabaku tha se KLSH kishte nxjerrë në pah fshehjen e kostos reale të koncesionit me Integrated Energy B.V duke shqyrtuar kontratën, e cila nuk u bë kurrë publike nga qeveria.
Sipas demokratëve ajo që e bën edhe më të rëndë situatën është fakti se këto kompani po paguhen vit pas viti edhe pse nuk kanë vënë në punë asnjë impiant. Për këtë Tabaku tha duke u mbështetur te pagesat e kaluara nga Thesari:
“Akoma më i rëndë është fakti se këta inceneratorë, sipas kryeveprës së korrupsionit të Edi Ramës, paguhen miliona euro çdo vit, megjithëse nuk ekzistojnë. Në dy vjet, qeveria e Edi Ramës ka bërë 44.3 milionë euro pagesa për inceneratorët fantazmë, një vjedhje ditën për diell e shqiptarëve.”
Ish-deputetja Tabaku i cilësoi këto raste si treguesit e radhës të “korrupsionit të qeverisë Rama, që për këto arsye u refuzua nga Bashkimi Evropian”. Sipas demokratëve zgjidhja është përmes zgjedhjeve të parakohshme.