Partia Demokratike akuzoi, të hënën, kryeministrin Rama dhe kryebashkiakun Veliaj së bëjnë propagandë, por nuk i ofrojnë asgjë qytetarëve.
Përmes një postimi në Facebook, ish-deputetja Jorida Tabaku publikoi të dhënat për ndërtimin e rindërtimin e kopshteve, shkollave e çerdhëve gjatë viteve që Basha ishte kryebashkiak:
“Gjatë viteve 2011-2015 në Tiranën e drejtuar nga Lulzim Basha u ndërtuan e rehabilituan 48 kopshte, shkolla e çerdhe.
Këto janë të vërtetat që Edi Rama dhe kopja e tij pa ngjyra në bashkinë e betonizuar nuk i mbulojnë dot megjithë makinerinë e madhe të propagandës që kanë në dispozicion.”
Tabaku theksoi se Rama dhe Veliaj kanë ndërtuar shtet ‘Facebooku’ me projekte 3D:
“Ky i Ramës dhe i Veliajt është shteti i FB dhe i projekteve në 3D. Është modeli i qeverisjes duke hedhur baltë mbi kundershtarin sepse kjo është alternativa e fundit mbetur pas 8 vitesh deshtime në çdo fushë.”
“Ka ardhur koha të ndryshojmë. Ka ardhur koha për një qeveri që kujdeset për njerëzit. Ka ardhur koha t’i rikthejmë Shqipërisë njerëzit e saj; t’ua kthejmë qeverinë qytetarëve. Ka ardhur koha ta çojmë Shqipërinë drejt rrugës së suksesit dhe standardeve të larta të jetesës,” mbylli deklaratën e saj Tabaku.