Partia Demokratike akuzoi qeverinë se ka qënë në dijeni të masave të reja të shtetit grek që më datën 5 gusht.
Në një deklaratë për shtyp, Sekretari për Çështjet Ndërkombëtare, Arben Kashahu pohoi se edhe pse qeveria ishte në dijeni, nuk mori masat për të parandaluar atë që ndodhi në Kakavijë. Sipas tij, kryeministri Rama ka shpërdoruar detyrën.
“Edi Rama ka shpërdoruar detyrën në lejimin e krizës humanitare në pikën kufitare të Kakavijës, ku, tragjikisht, humbi jetën edhe një fëmijë. Kryeministri i vendit i cili është njëkohësisht edhe Ministër i Jashtëm fuqiplotë i Republikës së Shqipërisë, u informua që në datën 5 gusht zyrtarisht për vendimet e marra nga pala greke për të menaxhuar pandeminë me shtetasit që hyjnë në Greqi. Dokumenti i bërë publik nga Presidenti i Republikës, nxjerr në dritë neglizhencën dhe papërgjegjshmërinë e kryeministrit dhe Ministrit të Jashtëm Edi Rama.”
Në lidhje me rastin bullgar Kashahu pohoi se rradha zgjati pak orë për qytetarët bullgarë si dhe deklaroi se artikulli i përmendur nga Rama është i vitit 2016.
Kashahu i bëri thirrje SPAK të nisë hetimin ndaj kryeministrit Rama.