Partia Demokratike deklaroi se raporti i Transparency International nxorri në pah lidhjet e qeverisë me krimin si dhe përfshirjen e zyrtarëve të lartë në shitblerjen e votave.
Në një deklaratë për mediat, Enkelejd Alibeaj deklaroi se raporti ka përmendur zyrtarët që kanë blerë votat e kanë lehtësuar trafikun ndërkombëtar të drogës.
“Aty përmenden me emër dhe mbiemër njerëzit kryesorë që kanë blerë vota me krimin dhe kanë lehtësuar trafikun ndërkombëtar të drogës. Vangjush Dako, me të cilin Edi Rama mburret publikisht se e ka mik, dhe Saimir Tahiri, për të cilin Edi Rama ishte krenar gjatë kohës që ai drejtoi Ministrinë e Brendshme.”
Alibeaj shton se raporti kritikon prokurorinë për performancë të dobët në hetimin e këtyre çështjeve.
“Me këtë rast, raporti vë në dukje atë që e quan “performancë të dobët të prokurorëve në rastin e Gjiknurit, për të cilin ka një padi për dëmin e shkaktuar prej 479 milionë eurosh me paktin që favorizonte CEZ-in.”
Ai përfundoi se qytetarët nuk besojnë më te Edi Rama dhe se kanë nevojë për një qeverisje të re.