Partia Demokratike deklaroi se Shqipëria ka çmimin më të lartë të energjisë elektrike në rajon.
Në një deklaratë për shtyp, Enno Bozdo pohoi se Shqipëria renditet e 21-ta në Europë, për çmimim më të shtrenjtë të energjisë elektrike.
Sipas tij një familja paguan 64 mijë lekë më shumë në vit për energji elektrike, duke theksuar se sipas një raporti të Bankës Botërore, 43% e kompanive që operojnë në Shqipëri e cilësojnë furnizimin me energji elektrike si pengesën kryesore të të bërit biznes.
“Sot Shqipëria ka çmimin më të lartë të energjisë elektrike në rajon, me përjashtim të Malit të Zi. Në raport me fuqinë blerëse, Shqipëria renditet e 21-ta në Europë, duke lënë mbrapa, pra duke patur çmim më të shtrenjtë të energjisë elektrike, vende të zhvilluara të BE si Gjermania, Franca, Hollanda, Suedia, Anglia etj. Një familje shqiptare paguan mesatarisht 64 mijë lekë të vjetra në vit më shumë.
Sipas raportit të fundit të Bankës Botërore, anketimit mbi ndërmarrjet, 43% e kompanive që operojnë në Shqipëri e cilësojnë furnizimin me energji elektrike si pengesën kryesore të të bërit biznes. Kjo shifër 7 vite më parë ishte vetëm 20%.”
Bozdo pohoi se plani qeverisës i PD do të sjellë “jo vetëm uljen e ndjeshme e të menjëhershme të çmimit për konsumatorët familjarë dhe për bizneset, por do të realizojë mirëmenaxhimin e të tre kompanive që operojnë në këtë sektor, duke çrrënjosur përfundimisht nepotizmin dhe veçanërisht megakorrupsionin që ka kapur sektorin si tipar dallues i qeverisjes Rama.”