PD shqyrton kandidatura të reja midis të cilave edhe Flutura Açka, Agron Gjekmarkaj dhe Ina Zhupa

Nga Exit News
PD shqyrton kandidatura të reja midis të cilave edhe Flutura Açka, Agron Gjekmarkaj dhe Ina Zhupa

Në selinë e Partisë Demokratike po shqyrtohen ende disa kandidatura të reja të ardhura nga baza, sipas raportimit të BalkanWeb.

Disa janë  emra shumë të njohur për publikun shqiptar si Flutura Açka, Agron Gjekmarkaj dhe Ina Zhupa, por mendohet se po shqyrtohen edhe emrat e Flamur Hoxhës dhe Isuf Celës në qarkun e Kukësit.

1.Flutura Acka në Elbasan

Flutura Açka është poeteshë, shkrimtare e njohur dhe botuese.

Ajo ka punuar si gazetare e më pas, administratore dhe redaktore.

Më 2001, bashkë me të shoqin e saj holandez, ngriti shtëpinë e saj botuese me qendër në Tiranë.

Disa nga veprat e saj më të njohura janë “Vetmi gruaje”, përkthyer në bullgarisht, “Kukullat nuk kanë Atdhe” apo romani i fundit “Biri” dedikuar humbjes tragjike të djalit të saj të vetëm vitin e shkuar.

2.Agron Gjekmarkaj në Lezhë

Gjekmarkaj është një figurë mjaft aktive në mediat shqiptare, si analist e publicist. Ai gjithashtu ushtron edhe profesionin e tij si pedagog i Gjuhë-Letërsisë dhe zv.dekan i Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë.

Nga 2005 deri në 2007 ai ishte Këshilltar i Ministrit të Kulturës për Politikat Kulturore.

Pas kësaj, nga 2007 në 2008 ai u bë Drejtor i Arteve dhe Letrave në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve në Tiranë.

Gjekmarkaj ka mbajtur postin e Ndihmësit të Presidentit të Republikës nga 2008 deri në 2009 dhe është anëtar i Autoritetit të Mediave Audiovizuale prej 2016.

3.Ina Zhupa në Vlorë

Ina Zhupa njihet gjerësisht si zëdhënëse e Partisë Demokratike, por ajo ka edhe përvojë në mësimdhënie në universitete shtetërore dhe private, midis të tjerash në departamentin e Shkencave Politike dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Universitetin Evropian të Tiranës. Zhupa denoncon herë pas here abuzimet në bashkinë e Tiranës.

 

 

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>