Partia Demokratike ka synim të fitojë më shumë se 7 mandate në qarkun e Elbasanit, u shpreh kryesuesi i listës së kandidatëve për deputet në këtë qytet, Gazment Bardhi.
Në një intervistë në “News 24”, Bardhi tha se është optimist që PD mund të tejkalojë rezultatin e vitit 2009, ku fitoi 7 mandate.
“Jam shumë optimist dhe për faktin që kemi parë në takimet tona dhe një padurim nga mbështetësit e PS për të ndryshuar”, deklaroi Bardhi.
Sekretari i Përgjithshëm i PD-së theksoi se qarku i Elbasanit ka probleme kryesore varfërinë, papunësinë, prapambetjen e bujqësisë, blegtorisë dhe infrastukturës.
“Të dhënat e INSTAT konfirmojnë që Elbasani është numër 1 për nivelin e të papunëve dhe të varfërisë. Ka një degradim të bujqësisë dhe blegtorisë për shkak të mungesës së vëmendjes së qeverisë. 70% e rrugëve në gjendje të mjerueshme”, tha ai.
Sipas Bardhit, PD nuk bën premtime të cilat nuk mund t’i mbajë por ai u zotua se pas 25 prillit do të bëhet realitet ndryshimi.
“Duhet të kthejmë vëmendjen tek nevoja që ka fermeri dhe fshatari shqiptar për mbështetjen ndaj bujqësisë dhe blegtorisë. Duhet të ndihmojnë zonat rurale me infrastrukturën që ka ngelur në vend numëro në këto 8 vite”, u shpreh Bardhi.
Sa i përket çeljes së negociatave, një premtim i kreut të PD Lulzim Basha, Bardhi tha se është tërësisht e realizueshme dhe nënvizoi luftën ndaj korrupsionit si një element kyç ku ata do të fokusohen.
“Kemi vendosmërinë për ta goditur krimin e organizuar, korrupsionin. Gjatë këtyre viteve kemi disa kallëzime në prokurori për afera korruptive. Ka dhe të tjera që presim të zbardhen. Nuk kemi në dorë të dënojmë zyrtarë të korruptuar, por kemi në dorë për të përgatitur dosjet”, tha ai.