Partia Demokratike i bëri thirrje qytetarëve të kenë durim pasi ende nuk ka përfunduar procesi i numërimit të votave.
Përmes një deklarate për shtyp, zëdhënësja e PD-së, Floriana Garo pohoi se Aleanca për Ndryshim do të fitojë këto zgjedhje dhe PD do të garantojë process të ndershëm.
“Edhe tani, me numërimin e qendrave të votimit që janë qendra kryesore të votimit për PS-në, ne shohim se Aleanca për Ndryshim po sjell rritje të jashtëzakonshme.
Prandaj, kini durim! Çdo votë do të numërohet. Çdo zë do të dëgjohet. Ne do të bëjmë gjithçka për të ruajtur pastërtinë e zgjedhjeve.”
Garo tha se qytetarët kanë votuar për ndryshimin ndaj PD do të fitojë.