Partia Demokratike akuzon kryebashkiakun Erion Veliaj se ka paguar 1 miliardë lekë shtesë për inceneratorin e Tiranës. Sipas PD-së, Veliaj ka rritur tarifën e pastrimit me 7500 lekë për qytetarët, me 22 mijë lekë për biznesin e vogël dhe me 110 mijë lekë për biznesin e madh.
Rritja e tarifave të pastrimit
Nënkryetari i Bashkisë Tiranë, Arbjan Mazniku në prill 2020 tha se tarifa e pastrimit u rrit me 4-5 përqind, por në të vërtet krahasimi i tarifave të vitit 2016 dhe 2020 flet për rritje me 15 për qind.
Familjarët, që në qytet paguanin 5 000 lekë në vit për pastrim, në vitin 2020 do të paguajnë 5 750 lekë.
Biznesi i vogël që paguante 3 500 – 15 000 lekë në vit, në vitin 2020 do të paguajë 5 750 – 17 250 lekë.
Biznesi i madh që paguante 20 000 – 300 000 lekë në vit, në vitin 2020 do të paguajë 23 000 – 345 000 lekë.
Koncesioni i inceneratorit të Tiranës
Në dhjetor 2016, Qeveria Rama vendosi të ndërtojë një incenerator – impiant djegieje – të plehrave për territorin e Qarkut Tiranë, duke përdorur sërish një skemë të Partneritetit Publik Privat (PPP), me vlerë 140 milionë euro për 30 vite.
Kompania Integrated Energy B.V. ishte e vetmja që në maj 2016, përpara se ajo të regjistrohej zyrtarisht si kompani në Hollandë, paraqiti propozimin e pakërkuar në Ministrinë e Mjedisit.
Pas vlerësimit të propozimit, qeveria vendosi të fillojë procedurat e tenderimit për këtë projekt duke e vlerësuar kompaninë me një bonus prej 8 pikëve në krahasim me kompanitë e tjera që do të paraqiten në tender.
Në bordin drejtues të kompanisë është Thomas Walter Hansmann, drejtor i Paul Ëurth India Private Ltd., Hans Ëallage, përfaqësuesi i ANT Managment, kompani e specializuar në ndërtimin e strukturave që mund të përdoren për fshehjen e evazionit fiskal.
Anëtarët e tjerë të bordit janë Theo Spijkerman dhe Arnaud van der Ëerf, të dy punojnë për SGG Group, një kompani që ofron shërbime financiare në shumë vende të botës, e specializuar në ndërtimin e trusteve, shpesh të përdorura për evazion fiskal. SSG Group është dënuar në Mbretërinë e Bashkuar për veprën penale të mashtrimit financiar.
Duket se kjo është një tjetër kompani guaskë, e përdorur si mbulesë për marrjen e një tjetër koncesioni të kushtueshëm, qetësisht, duke fshehur korrupsionin, konfliktin e interesit apo pagesën e taksave.