Përçmimi i Kryeministrit Rama për popullin e tij – Koment

Përçmimi i Kryeministrit Rama për popullin e tij – Koment

“S’po të pyes për kë ke votuar, se dukesh. Merre lejen tani, edhe nesër te protesta, para Parlamentit. Do zoti nuk të le motori.” Kështu i ka uruar një qytetari me aftësi të kufizuara që lëviz me karrocë Kryeministri Rama.

Komenti është bërë sot paradite në Kamëz gjatë dhënies së çertifikatave të pronave të legalizuara. Siç e ka bërë tashmë zakon, Kryeministri i mbledh qytetarët në një ceremoni para kamerave dhe ju dorëzon personalisht çertifikatat, duke u munduar të bëjë shaka e batuta me ta.

Shakatë e tij kanë qenë më së shumti banale dhe pa shije e, jo rrallë, cinike. Por, komenti i sotëm ndaj qytetarit të pamundur fizikisht është paragjykuese dhe haptazi shpërfillëse e përçmuese.

Akoma më e rëndë duket kjo sjellje e Kryeministrit kur ajo vjen vetëm tre ditë pasi, në komente të ngjashme, shfaqi përçmim të tejskajshëm për veriun e Shqipërisë duke i quajtur veriorët alpinë dhe njerëz që nuk kanë parë det me sy. Dy javë më parë, e patën rradhën meshkujt shqiptarë për të provuar përbuzjen dhe nënvlerësim kryeministror teksa ai i quajti ata parazitë dhe dembelë.

Këto qëndrime të Kryeministrit Rama po bëhen gjithnjë e më të pajustifikueshme. Ndërsa mentaliteti që e konsideron komunikimin, qeverisjen dhe politikën si një seri batutash mund të jetë rezultat i kufizimeve të tij intelektuale, arroganca ndaj qytetarëve të thjeshtë është gjithnjë e më pak e shpjegueshme.

Por çfarëdo të jetë arsyeja, tash është me vend pyetja se a mund të mirëqeverisë një njeri që e përçmon thellësisht popullin e tij?

 

 

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>