Përfaqësuesi i Lartë i Bosnje dhe Hercegovinës, Christian Schmidt u shpreh se nuk ka ndryshim kufijsh në Ballkanin Perëndimor.
“Atyre që ende kultivojnë fantazi se do të ishte mirë të ndryshonin kufijtë ose të krijoheshin shtete të reja, unë u them se kjo ka marrë fund”, u shpreh Schmidt në Forumin e 14-të të Dubrovnikut, sipas Radios Evropa e Lirë.
Ai kërkoi që vendet e Ballkanit Perëndimor t’i zgjidhin mosmarrëveshjet dhe pengesat midis tyre, për të bërë përparim më serioz drejt Bashkimit Evropian:
“Kur shikojmë Bosnje dhe Hercegovinën, shohim se problemi i brendshëm që ekziston, nuk është midis shumicës dhe pakicës, por midis tre popujve përbërës dhe të tjerëve. Kur shikojmë Marrëveshjen e Dejtonit nga perspektiva e sotme, shohim se disa pjesë të saj mund të formuloheshin ndryshe, por tani e kemi Marrëveshjen ashtu siç është”.
Sipas tij, anëtarësimi i Bosnje dhe Hercegovinës në Bashkimin Evropian duhet të mbetet prioriteti i vendit.
Marrëveshja e Dejtonit i ka dhënë fund luftës në Bosnje në vitet 1990 midis forcave serbe, boshnjake dhe kroate.
Me këtë marrëveshje, Bosnja është ndarë në dy entitete – Federata e Myslimanëve dhe Kroatëve dhe Republika Sërpska.
Në prill, në media u publikuan disa “dokumenta jo zyrtarë”, mbi ndarjen e kufijve në Ballkan. Por ato nuk u pranuan asnjëherë si të vërteta.