Vaksinimi i “personaliteteve të moshuar” përfundoi të hënën pas tre javësh që kur ata morën dozën e parë të vaksinës.
Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu tha të hënën se ka nisur shpërndarja e vaksinave për mësuesit.
“Teksa në të gjitha strukturat të vaksinimit të përqërndruar jemi duke vijuar me rivaksinimi e stafeve mjekësore dhe të moshuarve, tashmë nëpër shkolla do të vijojmë vaksinimin e mësuesve, duke siguruar edhe lehtësinë e vaksinimit në territor” , tha Manastirliu.
Ministrja tha se procesi i vaksinimit do të jetë i kombinuar.
“Me dozat e AstraZeneca do të shtrihemi edhe tek moshuarit mbi 80 vjeç, si kategori prioritare. Do të jetë edhe AstraZeneca që do të të përdoret për vaksinimin e kësaj kategorie si edhe për mësuesit”, tha Manastirliu.
Që prej fillimit të vaksinimit janë kryer në total 24,887 doza të vaksinës, referuar të dhënave të MSH. Janë vaksinuar 18,822 personel shëndetësor dhe staf mbështetës si dhe 5065 të moshuar dhe arsimtarë.
Vaksinimi i “personaliteteve” përpara të moshuarve të tjerë bëri qe qeveria të kritikohej si diferencuese.
Presidenti Ilir Meta e cilësoi si “diferencim klasor”.