
Një prej grave naftëtarë, në grevë urie prej 5 ditësh, u dërgua të martën në spital, pas përkeqësimit të gjendjes shëndetësore.
Mjekja që po mbikëqyr grevistet deklaroi se gjendja e tyre shëndetësore po përkeqësohet dhe se ato duhet ta ndërpresin grevën.
Por naftëtarë janë të vendosur të vazhdojnë dhe nëse gratë duhet të dalin ng greva, atëherë në vend të tyre do të futen fëmijët.
“Nëse s’do mundemi më të vazhdojmë grevën, atëhere do fusim fëmijët këtu. Më mirë të rri këtu se po dola më kap borxhliu’’- u shpreh një prej naftëtareve në grevë.
Ato i bënë sërish thirrje kryeministrit Rama që nëse e ka seriozisht ftesën për bisedime, të firmosë dhënien e pagave të prapambetura.
Një ditë më parë, Rama i bëri apel naftëtarëve të ndalojnë grevën 23 ditore dhe protestat, e të ulen në bisedime. Por naftëtarët shprehen të vendosur se nuk dalin nga greva pa kontratë të firmosur nga qeveria e kompania menaxhuese ku miratohet dhënia e rrogave të prapambetura.