Kandidatët e Nismës Thurrje zhvilluan të mërkurën disa aktivitete elektorale.
Nisma prezantoi të mërkurën projektligjin numër 25 nga 33 gjithsej që synojnë ti dërgojnë në Kuvend.
Ky projektligj quhet “Ti nuk je vetëm”.
“Qendrat spitalore dhe shëndetësore publike ofrojnë shërbim shëndetësor të dedikuar për personat që janë në moshë pensioni, personat me aftësi të kufizuara, minatorët dhe naftëtarët. Gjithashtu qendrat shëndetësore publike mbulojnë shërbimin palliative për këto kategori sociale”, shprehet Nisma Thurrje.
Sipas Nismës kompanitë e sigurimit të shëndetit që kanë liçencë për të operuar në tregun e sigurimit nuk mund të vendosin kufizime në bazë moshe dhe as nuk mund të diskriminojnë moshën e tretë për të aksesuar sigurimin privat të shëndetit.
“Çdo i ri që jeton me një apo më shumë persona në moshë pensioni, lehtësohet nga taksat vendore”, thotë Nisma.
Kandidati Elton Canaj për qarkun e Tiranës prezantoi projektligjin numër 23.
“Me paratë e përfituara nga shitja e burimeve natyrore, qeveria krijon një fond për strehimin, i cili ofron kredi pa interes për personat e regjistruar si të pastrehë”, tha ai.
Sipas Canajt strehimi i familjeve në nevojë bëhet përmes një skeme publike transparente, e cila publikohet online, dhe zhvillohet me një sistem pikëzimi sipas modelit nevojë-preferencë.
“Përparësi kanë prindërit me shumë fëmijë, personat me aftësi të kufizuar, dhe personat që i përkasin grupeve të diskriminuara në shoqëri”, u shpreh ai.
Nisma prezantoi dhe projektligjin numër 24 “Shoqëri solidare”.
“Çdo godinë publike detyrohet të jetë e aksesueshme për personat me aftësi të kufizuara. Policia Bashkiake ngarkohet të verifikojë aksesueshmërinë e godinave publike, përfshi edhe pallatet, nga personat me aftësi të kufizuar”, sqaron Nisma.
Sipas Nismës autobuzët duhet të jetë të aksesueshëm për personat me aftësi të kufizuar, në të kundërt kompanitë përkatëse humbasin liçencën e transportit.
“Punëdhënësit që punësojnë persona me aftësi të kufizuar përfitojnë lehtësira fiskale”, u shprehën përfaqësuesit e Nismës Endrit Shabani dhe Panajot Soko.