Kandidatët e pavarur të Lëvizjes Vetëvendosje në Shqipëri zhvilluan të enjten disa aktivitete elektorale.
Aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje ishin në Vorë bashkë me kandidatin Boiken Abazi.
“Ata takuan qytetarë, banorë të zonës, tregtarë, sipërmarrës, punëtorë e bujq, për t’u dhënë lajmin e mirë se Boikeni po kandidon me një krejt tjetër qasje nga ajo e politikës së tre dekadave te fundit ndaj tyre”, njoftoi LVV.
Në njoftimin e LVV thuhet se “shtrëngim i sinqertë i duarve të qytetarëve, buzëqeshja e çiltër, dhënia dhe shpjegimi i programit me 13 pika për Tiranën dhe Shqipërinë, është në fakt premtimi se jemi në të njëjtën anë bashkë me qytetarët e Vorës për ta çuar zërin e tyre në Kuvendin e Republikës”.
Kandidati i pavarur i LVV në Tiranë tha për takimin në Vorë se ishte “me njerëz të mrekullueshëm, është e zhytur në varfëri dhe ende vuan pasojat e shkatërrimeve nga tërmeti”.
Ai tha se qytetarët i pritën shumë mirë. “Edhe pse plot halle, ata nuk janë dorëzuar. Ne po i njohim nga afër hallet e tyre, dhe kjo na nxit të punojmë edhe më shumë drejt transformimit të domosdoshëm të këtij sistemi që prodhon varfëri e pabarazi”, tha Abazi.
Kandidati i pavarur i Lezhës Iliaz Shehu postoi një foto me aktivistët që u shoqëruan në komisariat pas protestës në Thirrë.
“Nuk ka presion që i ndalon aktivistët tanë. Katër ditë të mbyllur, e prapë më të qeshur se kurrë. Katër ditë nën presion, e prapë edhe më të vendosur”, tha Shehu.
Ai tha se fushata e tyre do të vazhdojë, “ndërkohë që s’do lejojmë që shkeljet e bëra dhe personat përgjegjës t’ia hedhin pa mbajtur përgjegjësi për shkeljet e kryera”.
Kandidati i pavarur i Lezhës Iliaz Shehu pati gjithashtu një takim me ambasadorin britanik Duncan Norman.
“Temat që u diskutuan ishin që nga protestat e Thirrës të mbështetura nga ne, presionet e policisë dhe ngjashëm, pikat programore, pritshmëritë, kapacitetet”, tha Shehu.
Ai tha se e njoftoi me detaje ambasadorin Duncan për nevojën imediate për diversifikimin e politikës në funksion të alternativave të reja dhe ky i fundit u pajtua plotësisht.