Drejtuesit politik të Partisë Demokratike kanë vazhduar takimet në zona të ndryshme të vendit.
Jorida Tabaku, drejtuese politike për njësinë 2, 3 dhe 10 në Tiranë ka takuar disa familje tiranasë, të cilat i kanë shprehur shqetësimin për ngritjen e kullave në Tiranë.
“A e patë se si shtroheshin me të ngrëna e me të pira me Nasip Naçon, se si shtroheshin në Dubai me darka dhe dreka. Kjo është jeta reale që bën Rama, jo ajo që nxjerr në televizor. I kanë lënë rrugët dhe lagjet e Tiranës në mëshirë të fatit dhe në pikë të hallit”, i tha Tabaku përfaqësuesve të disa familjeve tiranase.
Albana Vokshi, drejtuese politike për njësinë numër 9 dhe 11 në Tiranë takoi të dielën disa banorë të zonës së Laprakës. Ata u ankuan për mos legalizimet e pronave dhe mungesën e investimeve në rrugët dytësore të lagjes.
“Ju takon me ligj, nuk ka nevojë as për presione dhe as për lëmoshë. Ligji është i qartë dhe gjithësecili të bëhet pronar. Më datë 25 prill Edi Rama do të humbë dhe do të fitoni ju”, u tha Vokshi, banorëve.
Belind Këlliçi, drejtues politik i njësisë 1, 6, 13, dhe 14 në Tiranë takoi banorët e Ndroqit. Ai akuzoi kryebashkiakun Veliaj “se në vitet 2015 – 2018 në Tiranë” ka pastruar “1.6 miliardë euro nga mafia e betonit, 1/3 e buxhetit të shtetit të Shqipërisë”.
“Ai që është martuar në Kala, 500 milionë u tha qytetarëve i bëra me lekët e pensionit të mamit. Ma thoni si del pensioni i një nëne për të martuar djalin me 500 milionë lek? Ma thoni dhe unë tërhiqem dhe i kërkoj publikisht falje’, u shpreh Këlliçi.
Ina Zhupa, përfaqësuese e PD-së në Kombinat bisedoi me banorët e Kombinatit mbi kompesimin e qeverisë së banorëve në pallatet e reja që do të ndërtohet aty. Banorët u shprehën së kanë marrë apartamente të reja banorët , shtëpia e të cilëve nuk është shembur.
“Shteti ligjor me Edi Ramën dhe me Erjon Veliajn, Arben Ahmetaj, Belinda Balluku, nuk funksionon. Ata nuk duan t’ia dinë për ligjet, nuk duan t’ia dinë për jetën e qytetarëve, duan vetëm të bëjnë propagandë, të fillojmë që këtu po shembet dhe gjoja po punohet në Kombinat”, tha Zhupa. Ajo u shpreh se me 25 prill do të kthehet shteti ligjor.
Edmond Spaho, drejtues politik i qarkut të Korçës tregoi se një shtëpi në Qafëzez të Kolonjës, “e dëmtuar nga tërmetet e qershorit dhe nëntorit të vitit 2019, edhe pas dy vitesh vazhdon të jetë e rrënuar”. Ai shfaqi me video pamje nga banesa e rrënuar.
“Të gjithë presin me padurim ndryshimin që do të vijë në 25 prill!”, ” tha Spaho.
Gazmend Bardhi, drejtues politik i qarkut të Elbasanit ju përgjigj kryeministrit Rama për gjendjen ekonomike të qytetit.
“Elbasani është qarku më i varfër në vend, dhe 75 mijë qytetarë janë larguar për shkak të papunësisë. Asnjë investim dhe asnjë mbështetje për qarkun Elbasan në 8 vite”, shkroi Bardhi në një postim në Facebook.
Edi Paloka, drejtuesi politik i qarkut Durrës akuzoi kryeministrin Rama se në 8 vite ka menduar vteëm për “xhepat e tij”. Gjatë një takimi me banorët në zonën e ish-Kënetës, ai tha se:
“Në 25 Prill jemi përballë me një qeveri që praktikisht ka dështuar në gjithçka. Nuk ka nevojë t’jua tregoj, sepse më shumë sesa ju, nuk e ka ndjerë askush tjetër dështimin dhe pasojat e një keq-qeverisje si kjo e Ramës”.