Kandidatët e Nismës Thurrje zhvilluan të martën takime elektorale dhe shpjeguan projektligje të cilat synojnë t;i dërgojnë në Kuvend.
Kryetari i Nismës Thurrje Endrit Shabani deklaroi të martën se “Rama do të dalë nga politika si Ramiz Alia”.
Ai tha se ashtu si Ramiz Alia, që doli nga politika pasi nuk u zgjodh dot deputet, edhe Rama do të ketë të njëjtin fat. Sipas Shabanit Rama do të humb mandatin në Durrës.
“Nisma Thurrje në Durrës do të luajë pikërisht këtë rol historik, duke i hequr PS-së mandatin e 8-të të Durrësit dhe duke e nxjerrë Ramën jo vetëm nga Parlamenti por nga politika aktive”.
Endrit Shabani dhe kryesuesi i listës së Nismës Thurrje në Tiranë, Panajot Soko prezantuan të martën projektligjin numër 21 “Energji elektrike dhe ujë si e drejtë natyrore”.
“ E drejta për energji elektrike dhe ujë trajtohet si e drejtë natyrore. Për familjet që janë me ndihmë ekonomike, shteti garanton energji falas deri në nivelin e nevojshëm për garantuar ndriçimin”, shpjeguan ata.
Shabani dhe Soko sqaruan se për familjet që janë me ndihmë ekonomike shteti garanton ujë falas deri në sasinë minimale për të plotësuar nevojat jetike.
“Përjashtimin e çdo takse që sot mblidhet përmes faturave të energjisë elektrike apo ujit. Decentralizimin dhe demokratizimin e prodhimit të energjisë elektrike, duke promovuar, inkurajuar dhe mbështetur prodhimin e energjisë përmes diellit dhe erës”, deklaruan ata.
Nisma denoncoi dhe SPAK të martën përmes një reagimi në Facebook. Nisma shprehet se në 2019 besuan tek SPAK dhe dorëzuan kallëzim tek ky institucion.
“Ne besuam që drejtësia e re nuk do vinte me avaze të vjetra. Prandaj kallëzuam në SPAK konçesionin e sterilizimit, përmes të cilit ne besojmë se na janë vjedhur qindra milionë dollarë, të cilat mund të ishin përdorur për të trajtuar të sëmurët me COVID, që do të dyndeshin dyerve të spitaleve vetëm pak muaj më vonë”, thanë ata.
“Në 2021 SPAK na ka marrë në pyetje vetëm neve si kallëzues, ndërsa Ilir Beqja, ministri i shëndetësisë që duhet të ishte sot nën hetim, në mos prapa hekurave, është në fakt kandidat për deputet në Shkodër”, shtoi Nisma.