Kandidatët e pavarur të Lëvizjes Vetëvendosje në Shqipëri zhvilluan disa takime elektorale të martën në zonat ku ata kandidojnë.
Kandidati i pavarur në qarkun e Gjirokastrës Kreshnik Merxhani shkroi në Facebook se të martën u gjendën në Lezhë ku forca policore kanë shoqëruar në polici 33 qytetarë e aktivistë “vetëm e vetëm se protestuan ndaj një padrejtësie që i mohonte komunitetit të fshatit Thirrë, ujin që është baraz, jetë”.
“Tre aktivistë ende i mbajnë padrejtësisht e ne i bëjmë thirrje këtij shteti policor të heq dorë nga këto metoda represioni që çdo ditë e më shumë po tenton të ndajë shqiptarët për hesap të oligarkëve e klientëve të pushtetit”, tha ai.
Ata vizituan disa monumente të Lezhës ku kandidati tjetër i LVV Iliaz Shehu kandidon.
“Për të vërtetuar dhe njëherë katandinë ku i ka çuar paaftësia monumentet e kulturës tonë kombëtare”, shprehet Merxhani.
“Kalaja e Lezhës që u planifikua të mbushej me fusha tenisi, hotele e lloj-lloj ndërhyrjesh si të dëmshme e si të pakuptimta, ende kërcënohet nga PPP-të aq të dashura për pushtetin dhe klientët e tyre”, thotë ai.
Kandidati i pavarur për deputet në Tiranë Boiken Abazi njoftoi se të martën ai ishte në Fresk.
“Zona te Fresku, njësia 12 në Tiranë, sot po pret aktivistët e Lëvizjes VETËVENDOSJE! me të cilët po shpërndajmë 13 pikat tona programore në takime me shumë qytetarë. Banorëve te Fresku u mungojnë hapësirat publike, parqet dhe gjelbërimi, trotuarët dhe infrastruktura e mirë rrugore. Zhvillimi urbanistikë në Tiranë duhet kthyer urgjentisht drejt mbrojtjes dhe krijimit të hapësirave publike”, tha ai përmes një njoftimi në Facebook.