Kandidatët e Partisë Demokratike zhvilluan takime elektorale në disa qyetet të vendit të enjten.
Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha ishte në njësinë 4.
Basha tha se vendimi për ndryshim, është vendimi më i madh i cili ka kapërcyer kufijtë e përkatësive politike. Kreu i opozitës përsëriti se Rama e ka pranuar humbjen pasi në dëshpërim e sipër kërkon të bëhet pjesë e qeverisjes së Aleancës për ndryshim.
Ai ishte dhe në njësinë 11. Gjatë ecjes me qytetarët Basha tha se vota për PD më 25 prill shkon për taksa të ulëta, do klimë miqësore për biznesin, do siguri për investitorët e huaj dhe kthimin e shpresës tek rinia shqiptare.
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha vizitoi dy familje në Bathore të Kamzës, ku ka prezantuar programin e PD-së, ku tha se në 25 prill nuk do lihen në dorë të Zotit, por do kenë një qeveri që kujdeset për ta.
Objektivat e Partisë Demokratike në qarkun e Elbasanit janë që të fitojnë 7 mandate. Kështu u shpreh kandidatja për deputete në listat e PD-së për Elbasanin, Zheni Gjergji.
Helidon Bushati zhvilloi takim me pedagogë në Shkodër. “Arsimi është në fokus të programit të Partisë Demokratike, rritje e ndjeshme të pagave të profesorëve, pedagogëve dhe mësuesve”, tha ai.
Flamur Hoxha ishte në takim me banorë në Kalimash.
“Më 25 Prill merr fund qeverisja Rama, nis dita e shpresës”, tha ai.
Bujar Leskaj ishte në Qendrën Multifunksionale për të moshuarit në Vlorë.
“Të braktisur nga pushteti qendror dhe vendor. Jetojne ne ambiente te ftohta dhe pa kushte”, tha ai.
Grida Duma u takua me mjekë “që çdo ditë në punë japin pafund nga vetja në shërbim të qytetarëve”.
“Mjekësia është forca parandaluese e shëndetit, sikurse ne jemi forca parandaluese e të keqes për vendin tonë”, tha ajo.
Gazment Bardhi deklaroi se “kur qeveria mashtron dhe nuk përmirëson jetën tuaj, duhet ndëshkuar me votë. Të bashkuar do të votojmë 9 për ndryshimin”.