Përplasja në Open/ Andi Bushati: “Sfida që më bëri live Mazniku. Shikoni me video se kush gënjen”?

Nga Andi Bushati
Përplasja në Open/ Andi Bushati: “Sfida që më bëri live Mazniku. Shikoni me video se kush gënjen”?

Mbrëmë në emisionin “Open” u përfshiva në një debat herë më shumë të zjarrtë dhe herë me më shumë argumenta, me zv kryetarin e bashkisë Arbër Mazniku, lidhur me mashtrimet e rilindjes dhe shkeljet e ligjit për shembjen e Teatrit Kombëtar. Për të mos u zgjatur tezat e mia ishin dy: Së pari se në shumë hallka qeveria dhe bashkia kanë përdhosur ligjet e vendit. E dyta se komunikimi i tyre publik ka qenë i mbushur me gënjeshtra meskine.

Pikërisht për këtë të dytën u krijua edhe përplasja.

Ndërsa unë po argumentoja se në morinë e gënjeshtave ishte edhe alibia që godina e teatrit përbën rrezikshmëri nga tërmetet, por se kjo qe aq e trashë sa u përgënjeshtrua edhe nga goditjet e forta të fund shtatorit edhe nga ato të fund nëntorit, zv kryetari i bashkisë më ndërpreu.

Ai pretendoi se unë po abuzoja me një Fake News, më bëri një leksion gazetarie dhe më kërkoi publikisht në Top Channel, që të demostroja me prova që të nesërmen (pra sot) se nga drejtuesit e institutit të ndërtimit nuk ishte pretenduar kurrë një gjë e tillë. Më kot unë i përmenda emrin e drejtorit Hysenlliu, ai këmbënguli se kjo qe e pavërtetë (video).

Ashtu sikurse shihet edhe në sekuencën e shkëputur nga debati në Top Channel, Mazniku më sfidoi duke më thënë se kishte vetëm dy rrugë ose unë do të kërkoja publikisht të falur (sot) përmes Lapsi.al, ose, nëse sillja prova do të qe ai që do e bënte këtë.

Në fakt, provat nuk ishin të vështira për tu gjetur. Mjaftonte një kërkim i thjeshtë në rrjet dhe ato qenë aty më zë dhe me figurë. Gjatë një mbledhje me arkitektët dhe konstruktorët, sapo Veliaj kishte marrë në dorë manipulimin e situatës, drejtori i Institutit të ndërtimit, Agron Hysenlliu përmendi në dy raste rrezikun sizmik, si një nga shkaqet se përse godina e Teatrit Kombëtar ishte e rrezikshme.

Po ti shohësh me vëmendje dy videot (këtu dhe këtu) Hysenlliu, atëherë kur tërmetet nuk kishin rënë akoma, flet pikërisht për rrezikun sizmik që mohoi mbrëmë, zv kryetari i bashkisë.

Kjo qe ajo që gjeta më thjeshtë, ashtu sikurse premtova gjatë emisionit edhe me video. Nga kronikat e shtypit më rezulton se të njëjtin qëndrim, pra se teatri rrezikohej nga tërmetet, Agron Hysenlliu e ka mbajtur edhe para komisionit parlamentar për veprimtaritë prodhuese, në 3 korrik 2018. Aty ka qenë i pranishëm kryetari i këtij komisioni, Eduart Shalsi, ish ministri Ilir Beqja, e disa opozitarë të tjerë që si kishin djegur ende mandatet.

 

Procesverbal
Procesverbal

Këtu ai ka deklaruar se me 99% teatri nuk i përballon tërmetet dhe vetëm 1% e ka shpëtuar.

E pra kjo është e vërteta.

Në fakt, ajo është një episod fare i vogël në raport me krimin që u bë me Teatrin Kombëtar. Por unë personalisht insistova ti shkoj deri në fund sfiddës që mu bë për ta përdorur si shembull të vërtetueshëm 100%, se Mazniku mbronte aty një institucion të ngritur mbi gënjeshtrën.

Nëtyrisht unë nuk kam ndërmend ti kërkoj atij, burrërinë e plotësimit të sfidës për të cilën dorashkën e hodhi vetë i pari. As nuk e dua, as nuk e pretendoj ndjesën e tij.

Së pari se e di, që ai nuk gënjeu për hesap të tij. Ishte i detyruar ta bënte për llogari të kryetarit që këtë herë e bën për llogari të kryeministrit.

Dhe së dyti sepse po të kërkoja ndjesë nga bashkia, këtë do ta doja nga Erion Veliaj. Ende e kam të ngullur në kujtesë atë ditë vere të vitit 2015, kur në studion e « Opinion » më pa në sy dhe më tha pa iu dridhur qerpiku : « Qytetarët e Tiranës duhet të më votojnë, sepse me dorën time nuk do të firmos asnjë leje ndërtimi në Tiranë ».

Pasi ke provuar këtë nuk të bën më përshtypje asnjë lloj mashtrimi, sado ulëritës që të jetë ai.

 

Botuar në Lapsi.al

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>