Trumbetuesit e propagandës qeveritare, të angazhuar tërësisht për të përhapur lajme optimiste, po hedhin në treg çdo ditë “të dhëna” të denjë për statistikat komuniste.
Pararoja e këtij fronti propagandistik duket se është Ministria e Brendshme, e cila duke injoruar dhjetëra të vdekur të kësaj verë të përgjakur, i është përkushtuar këndimit të sukseseve të turizmit në Shqipëri, dhe për ta përmbushur sa më mirë këtë qëllim po rreket të paraqesë të dhëna mbresëlënëse, të cilat në fakt lënë mbresë për falcitetin e tyre dhe jo realitetin që përshkruajnë.
Dje, disa media, duke ju referuar burimeve të policisë kufitare, njoftuan se vetëm në një ditë—supozohet të dielën e shkuar—nga pika kufitare e Morinës kanë hyrë në Shqipëri 25 mijë persona brenda për 24 orë.
Ndërsa dy ditë më parë, Balkanweb bëri me dije se, sipas burimeve të policisë kufitare, për dy muaj Shqipërinë e kanë vizituar për turizëm një milionë kosovarë, falë përmirësimit të procedurave kufitare dhe hapjes së gjashtë pikave të kontrollit, që ka shkurtuar kohën e kontrollin e dokumenteve në dy minuta.
Nuk duhet ndonjë diplomë në matematikë për të kuptuar se të paktën njëra nga dy deklarimet e mësipërme është komplet falce.
Nëse nga pika kufitare e Morinës për 24 orë kanë hyrë 25 mijë kosovarë kjo do të thotë se për çdo 3,45 sekonda është kontrolluar dhe ka kaluar një kosovar, pa llogaritur nënshtetasit e Shqipërisë dhe të vendeve të tjera. Sikur të gjashtë pikat e kontrollit që ekzistojnë të kenë punuar pa ndërprerje gjatë gjithë 24 orëshit do të thotë se çdo pikë kontrolli ka pasur mesatarisht 20,7 sekonda për të kontrolluar një qytetar kosovar—gjithmonë pa llogaritur nënshtetasit shqiptarë dhe të tjerë.
Le të analizojmë tani të dhënën tjetër për një milionë shqiptarët e Kosovës të pretenduar të kenë hyrë për 60 ditë. Kjo shifër tregon se gjatë 5,18 milionë sekondave që kanë 60 ditë, është regjistruar një hyrje mesatarisht çdo 5,2 sekonda, e cila e shumëzuar për gjashtë pikat e kontrollit do të thotë një regjistrim çdo, maksimumi, 32 sekonda, natë e ditë, për 1 440 orë pa pushim. Gjithmonë vetëm për shtetasit kosovarë që kanë hyrë në vend, dhe jo për ata të Shqipërisë apo vendeve të tjera.
Por, në Durrës dhe Vlorë, hotelierët nuk e kanë vënë re gjithë këtë fluks të madh turistësh.
Në fakt, mund të hamendësojmë se të dhënat e siguruara nga policia kufitare janë “mashtruese”, siç e kemi dokumentuar gjerësisht në Exit.al, përfshi këtu.
Sidoqoftë, kjo situatë minimalisht vë në pikëpyetje kontrollin efikas të pikave të kalimit të kufirit, aq më tepër në një periudhë të tensioneve terroriste, pa përmendur trafikun e drogës që po arrin nivele të padëgjuara më parë.
Ose të gjitha shifrat janë sajesa për qëllime propagandistike, nga njerëz që nuk kanë aftësinë të mendojnë mbi domethënien e atyre që thonë.