Protesta e opozitës, përveçse e ka futur periudhën parazgjedhore të vitit 2017 në një shteg disi të ndryshëm krahasuar me të njëjtat periudha të viteve të mëparshme elektorale, ka prodhuar edhe mjaft reagime të cilat në pikëpamjen time janë kontradiktore.
Fjala e kam për atë grup njerëzish të cilët e përshëndesin protestën, por për një arsye apo një tjetër nuk e mbështesin atë. Dua që fillimisht të theksoj se logjika që opozita kërkon të përcjellë nëpërmjet protestës është e qartë: Një qeveri e kapur nga krimi nuk mund të zhvillojë zgjedhje të ndershme.
Unë dalloj tri mënyra sesi kjo logjikë mund të mos qëndrojë. E para, është që premisa e saj të mos jetë e vërtetë. Thënë ndryshe, qeveria nuk është e kapur nga krimi, prandaj nuk ka arsye pse të mendojmë se ajo nuk mund të zhvillohen zgjedhje të ndershme.
Mënyra e dytë, është që argumenti të mos qëndrojë. Pra, të pranojmë që qeveria është e kapur nga krimi, por gjithësesi ekziston mundësia për të zhvilluar zgjedhjet më të mira e më të ndershme që janë zhvilluar ndonjëherë.
Mënyra e tretë është që të qëndrojë premisa dhe argumenti i opozitës, por jo mënyra e zgjidhjes së problemit. Me fjalë të tjera, qeveria është e kapur nga krimi dhe nuk mund të zhvillohen zgjdhje të ndershme, por kjo nuk mund të zgjidhet me anë të protestave, ose më saktë nuk mund të zgjidhet me anë të protestës së opozitës apo Partisë Demokratike.
Nuk do të sqaroj sa më sipër, por dua të ndalem tek ato reagime që bien dakort se qeveria është e kapur nga krimi dhe për pasojë nuk mund të zhvillohen zgjedhje të ndershme, që bien dakort se për këtë duhet protestuar, por nuk mendojnë se kjo zgjidhet nëpërmjet protestës së opozitës. Pyetja ime për ta është e thjeshtë: Përse nuk ngrini edhe ju çadrën tuaj në shesh?
Opozita është përpjekur që në çdo qëndrim të saj të shprehet se është një protestë popullore dhe jo e Partisë Demokratike. Ju mund të keni të drejtë të jeni skeptikë ndaj këtij qëndrimi. Nëse ju mendoni se duhet protestuar, por jo të kërkohet qeveri teknike, përse nuk ngrini çadrën tuaj në shesh dhe të jepni alternativën tuaj?
Nëse mendoni se duhet protestuar, por keni një vizion ndryshe nga ai i Partisë Demokratike, përse nuk dilni në shesh me vizionin tuaj? Nëse mendoni se duhen protestuar, por pa muzikë dhe lojëra me letra, përse nuk ngrini çadrën tuaj me gjithçfarë atmosfere të doni? Nëse mendoni se nuk duhet protestuar me militantizëm (a thua se është turp a krim të jesh militant), përse nuk merrni ombrellën e shiut dhe të dilni në shesh pa iu bashkuar asnjë çadre, por me përgjegjshmëri të lartë qytetare, si heronj të mendimit kritik? Nëse mendoni se në çadrën e opozitës ka pak njerëz, përse nuk ngrini ju çadrën tuaj me më shumë njerëz? Nëse, nëse, nëse… përse nuk ngrini çadrën tuaj?
Nuk është çudi të mos e shihni të arsyeshme të protestoni. Nuk është çudi as të mos jeni të qartë dhe të mos dini ç’të bëni. Në të dy këto raste thjesht rrini dhe presni, ndoshta bëni edhe ndonjë lutje për ditë më të mira që mund të vinë. E çuditshme është që ta pranoni se duhet protestuar dhe justifikimet tuaja të jenë ngjarjet dhe personazhet brenda çadrës. Vend-simboli klasik i protestës është sheshi. Nëse nuk e gjeni veten te çadra, sheshi ka vend për të gjithë.