
Prokurori i Krimeve të Rënda Gentjan Osmani javët e fundit, është përfshirë në një sërë çështje të rëndësishme të prokurorisë, si përgjimi Babale-Xhafaj dhe të ish-ministrit Tahiri, edhe pse Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit ka rekomandur shkarkimin e tij.
Prokurori i Krimeve të Rënda Gentjan Osmani, njëkohësisht dhe kandidat për në KLP, u konfirmua në detyrë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit më 2 gusht 2018.
Një javë më vonë, më 9 gusht, ONM i rekomandon Komisionerit Publik që të apelojë vendimin e KPK-së për Osmanin në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit dhe të kërkojë shkarkimin e tij për shkak të mosjustifikimit të pasurisë dhe burimeve jo të ligjshme të saj.
Deri më tani, në shkeje të afateve, KPK ende nuk e ka zbardhur vendimin e Osmanit, dhe KP nuk ka asnjë mundësi për të apeluar një vendim ende të pazbardhur, ndërsa Osmanin duket se po vazhdon detyrën dhe është përfshirë në dosjet më të rëndësishme të momentit:
Më 6 tetor, Osmani kërkoi masë sigurimi për gazetarin Olldashi dhe arrestimin e Albert Veliut e Fredi Alizotit, të përfshirë në çështjen Babale-Xhafaj.
Ndërkohë gjatë gjithë kësaj kohe, prokurori Osmani nuk ka ndërmarrë asnjë veprim hetimor për të zbardhur denoncimet e Veliut dhe Olldashit se Agron Xhafaj ka drejtuar trafikun e drogës në Vlorë vitet e fundit.
Prokurori Osmani që prej shtatorit, është pjesë e grupit të prokurorëve që po hetojnë çështjen Shullazi.
Po ashtu, Osmani është pjesë e grupit të prokurorëve që po hetojnë çështjen Tahiri, që prej disa muajsh duket se ka ngecur.
Megjithëse duket se KPK nuk do ta zbardhë së shpejti vendimin e saj për Osmanin, BoldNews ka siguruar të plotë rekomandimin e ONM-së dhe arsyet se përse kërkohet shkarkimi i prokurorit.
Më poshtë Exit.al jep në mënyrë të përmbledhur pikat kryesore të rekomandimit të ONM-së:
ONM dyshon se prokurori Osmani nuk ka pasur burime të ligjshme për të blerë në vitin 2009, një apartament me sipërfaqe 72 metra katrorë, me vlerë 67.800 euro. Për blerjen e këtij apartamenti, Osmani ka deklaruar si burime të ardhurash kursimet e tij ndër vite, 1,5 milionë lekë dhuratë nga vjehrri dhe një hua prej 20 mijë eurosh nganjë person i tretë.
ONM, në bazë të të ardhurave të Osmanit dhe familjes së tij, vuri në diskutim mundësinë financiare të prokurorit Osmani për të shlyer huanë në vlerën 20 mijë euro dhe burimin e të ardhurave të vjehrrit që i ka dhuruar Osmanit 1,5 milionë lekë.
Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit ka ngritur pikëpyetje edhe mbi mundësitë financiare të prokurorit Osmani për blerjen e një automjeti. Sipas analizës së ONM-së, diferenca ndërmjet të ardhurave dhe shpenzimeve, nuk justifikojnë shumën që është përdorur për blerjen e automjetit.
Po ashtu, prokurori në vitet 2005, 2009, 2011, 2012 dhe 2013 ka shpenzuar më shumë para se sa ka fituar, duke lënë vend për dyshime se ka pasur të ardhura nga burime jo të ligjshme.