Kryeministri Rama ka premtuar se brenda vitit të ardhshëm të gjithë të prekurit nga tërmeti do të jenë në shtëpi të reja. Ndërkohë pas konfirmimit të përfshirjes së arkitektit Marko Kazamonti, edhe Stefano Boeri ka konfirmuar zyrtarisht se është pjesë e projekteve të rindërtimit.
Premtimin Zoti Rama e bëri gjatë ceremonisë së përurimit të një vepre të arkitektit në lulishten pas Kryeministrisë.
“Brenda vitit të ardhshëm, po e them si afat fundor vitin, por më përpara sesa përfundimi i vit të ardhshëm ne të jemi në gjendje që të gjithëve ti kemi ofruar mundësinë për të jetuar në një shtëpi më të mirë sesa ajo që kishin jetuar më parë.”
Qeveria ka njoftuar në fillim të muajit dhjetor ndërtimin e të paktën 3 lagjeve të reja për qytetarët që shtëpitë apo banesat iu bënë të pabanueshme nga tërmeti i 26 nëntorit. Lagjet janë cilësuar si “lagjet e rilindjes“.
Vepra e Boerit “La Radura” që u përurua sot është një pavilion rrethuar me elementë druri mes lulishtes që mban emrat “Fadil Kokomani e Vangjel Lezho”, dy ish-gazetarë të pushkatuar gjatë regjimit komunist.
Ceremonia u shfrytëzua për të folur për projektet e rindërtimit. Për këtë pjesë, gjatë fjalës së tij Zoti Boeri tha:
“Do të hedhim hapa përpara, jam i lumtur që jam pjesë e kësaj sforcoje. Kemi një studio në Tiranë, jemi pjesë e këtij projekti do të vëmë në dispozicion njohuritë tona. Kjo hapësirë është e njëjtë. Është një rast i jashtëzakonshëm. Rastësia nuk ekziston.”
Boeri tashmë konfirmohet zyrtarisht të jetë pjesë e grupit të rindërtimit. Në këtë grup arkitektësh më 5 dhjetor qe konfirmuar nga Kryeminstri Rama edhe Marko Kazamonti.
Exit News ka shkruar më parë për aktivitetet e arkitektëve si Boeri e Kazamonti, të cilët favorizohen nga Kryeministri Rama dhe Kryebashkiaku Veliaj për projekte dhe ndërtime pallatesh dhe veprash publike, siç janë sheshet, masterplani i Tiranës apo stadiumi kombëtar.
Boeri ka projektuar në Tiranë kullën Bllok dhe kullën West Residence. Kazamonti ka projektuar vepra si Stadiumi Kombëtar, kampusin e Universitetit të Arteve dhe kullën Evergreen përballë Kishës Orthodokse në qendër të Tiranës,
Edhe pse Kryeministri premton se projektet do të përfundojnë përpara fundit të vitit të ardhshëm, vlen të theksohet mungesa e transparencës për grupet e punës, fondet, projektet, vendndodhjen e saktë të ndërtesave që do të ndërtohen dhe mbi të gjitha procedurat se si po punohet për realizimin e këtyre ndërtimeve.
Në vitin 2018, Boeri u vu nën hetim për ndërtim pa leje në një zonë natyrale në Norcia, Itali ndërsa Marko Kazamonti, është dënuar për korrupsion në Firence.