Peshkatarët e portit të Durrësit po protestojnë sot për çmimin e lartë të naftës dhe mungesën e saj.
Ata tregojnë se megjithëse çmimi i naftës në bursë ka rënë në mënyrë drastike në gjithë botën, peshkatarët vazhdojnë ta blejnë më çmim të lartë pasi kompanitë nuk pranojnë të ulin çmimin.
Një prej tyre tregon:
“Ne orientohemi vetëm nëpërmjet bursës. Po flas për tokë që laget nga deti. Ne furnizohemi me çmim burse. Kjo është taksative. Na kanë thënë se sasia e karburantit është blerë me çmim tjetër dhe shitet me çmim tjetër.”
Peshkatarët kanë vendosur të mos nxjerrin anijet në det deri sa të arrijnë një marrëveshje me kompanitë për çmimin e naftës.
Ata shprehen se që prej 10 marsit, kur janë mbyllur restorantet, puna e tyre ka rënë ndjeshëm dhe kostot e naftës janë të papërballueshme.
Më shumë se 2 mijë persona punojnë në peshkim në portin e Durrësit.
Çmimi i naftës në tregun e huaj ka arritur në nivelin më të ulët historik. Kjo ka ndodhur si pasojë e uljes së kërkesës së tregut, duke qenë se pjesa më e madhe e njerëzve janë në karantinë, ndaj rezervat e naftës kanë tejkaluar kapacitet mbajtëse.
Në shumë vende, çmimi i naftës ka rënë deri në nivel negative, por kjo ulje nuk është reflektuar në çmimin e naftës në vend.
Si shkak i uljes së çmimit në botë, Albpetrol ka ndërprerë nxjerrjen e naftës pasi puset tashmë janë të mbushura.