Një peticion online në Shqipëri, për krijimin e një regjistri publik me të dënuarit për krime seksuale ka mbledhur 22 mijë firma.
Peticioni nisi dy ditë më parë, pas ngjarjes së përdhunimit të 15 vjeçares nga roja i shkollës dhe tre djem. Ky peticion ka për qëllim të nxjerrë në pah dështimin e gjyqësorit në ndjekjen dhe dënimin e personave që kryejnë krime seksuale.
Në të theksohet se këta persona, kanë kryer dhe më parë krime seksuale. Një regjistër publik mund të ndalojë përsëritjen e këtyre krimeve dhe krijon një ambjent më të sigurt për viktimat.
“Siguria e fëmijëve të pafajshëm apo njerëzve të tjerë, është me e rëndësishme se e drejta e abuzuesve për privatësi” shkruhet në peticion, duke theksuar se njerëzit kanë të drejtë të dinë nëse në zonën e tyre ka persona të cilët përbëjnë rrezik për ta dhe të afërmit e tyre.
Shtetet e Bashkuara aktualisht përdorin këtë metodë, me një gamë të informacionit të personave të dënuar për krime seksuale, të cilat janë të disponueshme për publikun përmes faqeve të internetit.
Për të firmosur peticionin kliko këtu.