Kryetari i Bashkisë së Lezhës, Pjerin Ndreu ka mohuar pretendimin e kryebashkiakes së Shkodrës, Voltana Ademi, se Bashkia Lezhë nuk është pjesë e Shoqatës së Bashkive të Shqipërisë.
Sipas tij vendimi i marrë sot nga Asambleja e shoqatës për shkarkimin e Ademit nga kryetare është në përputhje me statutin.
Asambleja e Shoqatës së Bashkive ka vendosur sot të shkarkojë nga posti i kryetares Voltana Ademin dhe në vend të saj të emërojë Pjerin Ndreun.
Kryebashkiakja e Shkodrës ka kundërshtuar si të pavlefshëm vendimin pasi sipas saj në mbledhjen e Asamblesë kanë marrë pjesë individë që nuk janë anëtarë të shoqatës. Ademi pretendon se Bashkia Lezhë nuk është më anëtare e Shoqatës së Bashkive.
Por, kryebashkiaku i Lezhës në përgjigjen për Ademin shkruan se kjo nuk është e vërtetë.
Nderu thekson se Asambleja u thirr sipas rregullave, nga 1/5 e anëtarëve dhe në mbledhje ka marrë pjesë edhe kryetarja e Këshillit Bashkiak të Shkodrës, Brisela Kadia.
Shoqata e Bashkive paditi ligjshmërinë e zgjedhjeve vendore 30 qershorit në Gjykatën Kushtetuese. Kjo padi pritet të shqyrtohet nga Gjykata Kushtetuese në qershor. Voltana Ademi pretendon se lëvizja për ta zëvendësuar atë ka për qëllim tërheqjen e padisë në Kushtetuese.