Përpunimi lëndëve të përftuara nga përzgjedhja dhe riciklimi i mbetjeve është temë shumë teknike dhe e ngatërruar. Për më tepër, aspektet të veçanta të këtyre proceseve varen thelbësisht nga konteksti në të cilin veprohet.
Për çdo rast dhe për çdo material të riciklueshëm ekzistojnë teknika të mira dhe të këqija riciklimi; ekzistojnë përdorime të mira dhe madje të zgjuara, por edhe përdorime të tjera më “dinake”; dhe mbi të gjitha, ekzistojnë specifika të ndryshme të produktit të përftuar në bazë të teknologjisë së përdorur dhe pastërtisë së lëndës së parë të marrë nga procesi teknologjik.
Një shembull i thjeshtë: nga një lloj i caktuar materiali plastik që mund të gjendet në mbetjet urbane ose industriale mund të përftohet një kokrrizimi i plastikës që përdoret për të prodhuar produkte të tjera industriale. Kjo lëndë e parë e përftuar nga kokrrzimi i mbetjeve plastike kushton më pak se sa ajo që përftohet nga prodhimi i plastikës nga nafta.
Në fillim të viteve 2000 në Shqipëri mblidhej, por edhe importohej nga Italia, një lloj plastike (polietilen—PE) e cila e përpunuar siç duhet, lejonte prodhimin e tubave për ujitje—tubat e hollë zakonisht në ngjyrë të zezë që përdoren në bujqësi për ujitjen e perimeve dhe frutoreve.
Plastika mblidhej nga plehrat, më pas përzgjidhej për të larguar sendet me përmbajtje lëndësh jo të përputhshme, pastaj grihej, më pas lahej për ta pastruar nga papastërtitë, thahej dhe vihej në një makinë që e shkrinte në cilindra, të cilat në fund përdoreshin si lëndë e parë për prodhimin e tubave.
Kjo gjë është pozitive nga një pikëpamje mjedisore, sepse lejon ripërdorimin e një nënprodukti të naftës, pa pasur nevojë për të përdorur naftë, e cila është një burim i shterueshëm.
Por po nga këndvështrimi mjedisor, nëse në vend të produkteve që përzgjidhen nga mbetjet vendase, kjo industri riciklimi përdor mbetjet e ardhura nga jashtë, në llogarinë përfundimtare mjedisi shqiptar do të ketë një sasi mbetjesh të ardhura nga jashtë, të pariciklueshme të cilat mbeten në Shqipëri: pikërisht ato që mbeten pas përzgjedhjes dhe larjes së mbetjeve, pa përmendur lëshimin e gazrave në ajër.
Ku përfundojnë këto mbetje? Mbetjet e ngurta (në rastin më të mirë) do të përfundojnë në landfill, ndërsa ujërat dhe baltërat nga larja do të përfundojnë në ujërat e zeza publike—të cilat në raste shumë të rralla trajtohen me lëndë pastruese—ose me më shumë mundësi do të hidhen në ndonjë rrjedhë uji që do t’i derdhë të gjitha në det. Pra, këto mbetje të importuara, edhe nëse i quajmë “mbetje”, sjellin lëndë të ndotur në Shqipëri duke shtuar ndotjen e mjedisit të vendit, të ajrit, tokës dhe ujërave.
Në Evropë kompanitë që lajnë mbetjet duhet t’i trajtojnë llumrat që shkaktohen nga larja me pastrues të veçantë dhe mund t’i shkarkojnë ato në ujërat e zeza publike vetëm pasi të kenë arritur një nivel të caktuar pastërtie; ndërsa mbetjet e ngurta që përzgjidhen si të papërshtatshme për riciklim dërgohen për t’u depozituar në landfille siaps një tarife të lartë, e cila rritet ndjeshëm nëse mbetjet kanë përbërje që i bëjnë ato mbetje speciale.
Për ta qartësuar, edhe llumi që prodhohet nga një impiant pastrimi i ujit konsiderohet mbetje speciale, sepse përmban një sasi substancash të përqendruara, prandaj paguhen çmime shumë të larta për t’i shkarkuar, në pika ku ato i nënshtrohen një përpunimi të mëtejshëm dhe të shtrenjtë, për të hequr sa më shumë ujë që të jetë e mundur prej tyre.
Një pastrues për ujërat e larjes ka kosto shumë të lartë, si ndërtimi dhe shfrytëzimi, dhe ka një kosto kontrolli të vazhdueshëm nga ana e autoriteteve publike për të analizuar nivelin e vërtetë të ujërave të derdhura në kanalizimet e ujërave të zeza.
Nuk ka asnjë informacion nëse këto standarde janë adoptuar në Shqipëri dhe nëse ndonjë kompani ricikluese të ketë pastrues uji. Por edhe nëse të dyja këto kushte janë plotësuar, duket e pamundur që mbetjet e procesit të përzgjedhjes dhe pastrimit të kontrollohen në mënyrë të vazhdueshme dhe të përshtatshme, në bazë të standardeve evropiane.
Pikërisht këtu qëndron avantazhi ekonomik i ricikluesit shqiptar në krahasim me atë evropian: në Shqipëri kostoja e përpunimit dhe depozitimit të mbetjeve të vetë procesit të riciklimit të mbetjeve është zero për ricikluesit. Pastrimi i llumrave nuk bëhet fare, kurse mbetjet e ngurta përpunohen dhe depozitohen me koston e pushtetit lokal ose shkarkohen në natyrë.
I vetmi avantazh i vërtet që riciklimi në Shqipëri ka në krahasim me të njëjtin proces të zhvilluar në Evropë është kostoja më e ulët e punës, që në disa faza të ndryshme të punës—në veçanti në fazat e përzgjedhjes së materialit mund të jetë një zë i rëndësishëm i kostove.
Por edhe në këtë drejtim ka diçka të rëndësishme që duhet marrë parasysh: kostoja më e ulët e fuqisë punëtore vjen më së shumti jo nga rrogat më të ulëta, por nga mungesa e kushteve të përshtatshme të punës, përfshi punën e paligjshme dhe të pasiguruar; mungesën totale të sigurisë fizike, kushtet skandaloze higjieno-sanitare, përfshi mungesën e dezinfektimit dhe ventilimit të mjediseve të punës.
Punonjësit shqiptarë në sektorin e trajtimit të mbetjeve punojnë në kushte skllavëruese. Pasojat e këtij trajtimi i transferohen publikut në formën e kostove të rritura të shërbimit shëndetësor dhe shërbimeve sociale për punonjësit e sëmurë dhe të pa siguruar, pa përmendur këtu kostot në jetë nga aksidentet dhe sëmundjet. Pra, ricikluesit koston e kursyer nga moskrijimi i kushteve normale të punës, ia kalojnë publikut në kosto shtesë personale dhe publike.
Në fund, një konsideratë më pak e dukshme: kostoja e lëndës së parë që prodhohet më anë të riciklimit ndryshon shumë me pastërtinë e vetë lëndës—sa më e pastër, pra pa produkte të huaja, të jetë lënda aq më i lartë është çmimi i shitjes së saj.
Për të arritur një pastërti sa më të lartë duhet një përzgjedhje sa më e imët, mundësisht e bërë me dorë. Pikërisht këtë lloj avantazhi mund të duan të shfrytëzojnë ricikluesit shqiptarë, koston e ulët të punës së krahut, për të bërë përzgjedhje sa më të imët të mbetjeve, për të siguruar pastërti sa të lartë të lëndës që prodhohet nga riciklimi.
Rezultati i pritshëm është: më shumë mbetje nga procesi i trajtimit të mbetjeve—pra nivel më i lartë i ndotjes së vendit.
Kjo duhet të jetë e qartë për çdo qytetar shqiptar: çdo proces prodhues i bazuar në riciklimin e mbeturinave ndot—në kuptimin që prodhon mbetje dhe ndotje në mjedis. Këto mbetje dhe ndotje duhet të trajtohen: sa më shumë qeveria do të kërkojë zbatimin e standardeve evropiane në këtë drejtim, aq më shumë do të rritet kostoja për rickluesit dhe leverdisshmëria e biznesit të tyre.
Sot, rickluesit përfitojnë sepse qeveria nuk i detyron ata të zbatojnë asnjë standard evropian.
Alternativa që ata kanë gjetur është të shtyjnë qeverinë të ndryshojë ligjet në përputhje me interesin e tyre, duke i lënë koston përfundimtare dikujt tjetër. Kjo gjë është më e lehtë për ta bërë në një vend të varfër, lakmues i parasë së lehtë, teknikisht i papërgatitur dhe me një qeveri shumë të korruptuar.