Po ti, ku e ke fshehur dinjitetin tënd?

Nga Anxhela Çikopano
Po ti, ku e ke fshehur dinjitetin tënd?

Po e nis me ca pyetje:

1. Pse ngrihen sot të rinjtë për Parkun e Liqenit?

2. Pse ngrihen të shpërngulurit e bulevardit?

3. Pse ngrihen bizneset?

Pyetjes së dytë e të tretë është më e lehtë t’i kthesh përgjigje, pasi është thuajse e lexueshme: njëra palë për pronën e tjetra për cënimin e të ardhurave.

Po të rinjtë, të rinjtë pse nuk lëshojnë pe për Parkun e Liqenit, paçka se rrihen, fyhen, përçudnohen nga pushteti e braktisen nga media, madje edhe nga një pjesë e popullit?

Pse? Ata nuk fitojnë aty as pronë e as para? Pse kjo marrí e kjo këmbëngulje?

E pra, të treja pyetjet e kanë nje emërues të përbashkët, ku më i lexueshëm e ku jo: ngrihen për të çuar në vend dinjitetin njerëzor!

Dinjitetin e nënë Zyle Lamit, që rreken ta blejnë të gjitha partitë, e të mijëra nënave të tjera, burrave, bijve e bijave të tyre.

Sepse politikanët jua kanë “blerë” dinjitetin, njerëz! Jua kanë blerë me një gjobë 500 lekë, pastaj me 50 Euro, me një thes mielli, me një mijë premtime.

Ata nuk ju kanë blerë votën në zgjedhje, por dinjitetin. Prandaj deklarojnë me arrogancë se e kanë marrë votën tuaj, ndaj ndjehen të ligjëruar t’ju fyejnë, t’ju shkelin, t’ju varfërojnë; ndërsa ju nuk duhet të ngrini kokën, sepse jeni të shitur, paçka se jo qëllimisht.

Kurse djemve e vajzave që rrihen atje në park nuk ua blejnë dot dinjitetin. Ata janë një tjetër brez, ata lexojnë, ata e kanë parë botën e përparuar, ata kanë mësuar të mendojnë me kokën e tyre.

Ata janë të rinj që nuk duan të bredhin rrugëve të Evropës, si hebrejtë në shkretëtirë.

Ata duan të jenë qytetarë të denjë në vendin e tyre.

Prandaj janë aq “të paleverdisshëm” politikisht këta të rinj. Prandaj dhe pushtetet përpiqen t’i përbaltin, t’ua mbysin zërin, sepse ata mund t’ju kujtojnë edhe juve që punë e madhe në qofshi shitur një herë, dy a tri, prapë secili prej jush e ka në dorë vetë të verë në vend dinjitetin e vet e t’u tregojë vendin shkelësve të ligjit që na qeverisin.

Ndaj diluni në krah djemve e vajzave te Parku i Liqenit, se ata nuk luftojnë për dinjitetin e tyre, të cilin nuk e kanë humbur kurrë, po për të rikthyer në vend dinjitetin e gjithë kësaj shoqërie të përçarë!

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>