Të shtrirë në shtretër spitalesh. Me fytyra të mjeruara. Mimika të sforcuara që japin idenë e sikletit fizik. Një mbledhje e lehtë e trupit apo një dorë e vendosur diku në trup si mbi një plagë, të bëjnë të mendosh se ata po përjetojnë dhimbje të madhe. Disa janë duke marrë serum. Pranë dikujt tjetër janë një, dy a tre mjekë që duken të shqetësuar.
Por, nëse përqëndrohesh më shumë, kupton që nuk kanë shenja të dukshme dëmtimi. Nuk kanë as nxirje, as gjakosje, as ndonjë gërvishtje sado të vogël. Veç serumit në ca raste, ndaj tyre nuk është bërë asnjë mjekim. Të gjithë janë të veshur me rrobat e punës. Çuditërisht, ato nuk kanë rrudha, pluhur apo ndonjë shenjë tjetër që mund të tregojë përpjekje apo diçka të pazakontë.
Janë policët qesharakë, aktorë amatorë, të cilët me rradhë, mbas çdo proteste në park, i drejtohen spitaleve për të vënë në skenë shfaqjen e rradhës me “dëshmi” dhune të ushtruar nga protestuesit.
Menjëherë, pranë tyre vjen, përherë, Kryebashkiaku Veliaj, që menjëherë poston fotot e tij i përkulur plot shqetësim mbi trupat e tyre. Pastaj, ai del para kamerave e dënon dhunën e vandalëve e lëvdon policët heronj e të paepur.
Tek sheh këto skena, duke e detyruar veten të mos mendosh se këta policë dhe kryebashkiaku janë manipulatorë të rëndomtë që sajojnë shfaqje bajate, të lindin disa pyetje të thjeshta.
Nëse këta policë a police rrëzohen përtokë posa shtyhen pak nga disa civilë të paarmatosur, a nuk duhet të shkarkohen menjëherë për paaftësi? Nëse, edhe pse disa herë më të shumtë në numër se protestuesit, këta policë zbehen dhe alivanosen, aq sa kanë nevojë për ndihmë urgjente spitalore, vetëm prej disa fërkimeve trupore me 20-30 persona me duar në xhepa, a nuk duhet të shkarkohen për paaftësi?
Detyra e policëve është të përballojnë forcë e dhunë. Ata përzgjidhen, ndër të tjera, pikërisht në bazë të aftësive fizike e psikologjike për të përballuar dhunë fizike e situata të vështira psikologjike. Ata supozohet të jenë mjaftueshëm të përgatitur fizikisht sa të luftojnë e triumfojnë mbi keqbërës e kriminelë.
Por Bashkia Tiranë po i paraqet dhe trajton ata sikur të jenë fotomodelë delikatë. Diskursi publik i drejtuesve të bashkisë e qeverisë nga ai për të drejtat, liritë dhe mirëqenien e qytetarëve, tashmë, është shndërruar në përkujdesjen që qytetarët duhet të tregojnë për policinë.
Nga mëngjesi në darkë, ata flasin për policët që ne populli i pambrojtur duhet t’i marrim me të mirë; të mos i prekim; të mos u ofrohemi ose të paktën t’u ofrohemi ngadalë e me kujdes; t’i trajtojmë me takt; t’u japim ndihmën e parë nëse ju merren mendtë dhe alivanosen nga klaustrofobia apo frika nga turmat.
Duhet ta bëjmë këte sepse shumica e tyre janë dukshëm të paaftë, të çorganizuar, të pa stërvitur. Sepse shumica prej tyre nuk dinë as të komunikojnë, as të negociojnë. Sepse pothuajse askush prej tyre nuk e njeh ligjin dhe ka ligj vetëm shefin.
Ne, populli, duhet t’u shërbejmë policëve.