Policia arrestoi sot një 26-vjeçar, i cili akuzohet se hodhi flakadanë në fushë gjatë derbit të kryeqytetit Partizani-Tirana në Stadiumin Kombëtar.
Në njoftimin e shpërndarë për mediat, policia thotë se e identifikoi të riun me inicialet A.B përmes kamerave të sigurisë. Të dhënat në fakt ishin raportuar më parë në media dhe 26-vjeçari quhet Armando Balliu.
Ndeshja Partizani-Tirana e luajtur mbrëmjen e së premtes 13 dhjetor, u shoqërua me probleme. Suksesi me shitjen e mbi 17 mijë biletave nuk u shoqërua me sjellje të denjë nga ana e sportdashësve si Balliu.
Policia thotë se rreth orës 19:10 i riu Balliu ka hedhur flakadan në fushë. Në ato minuta Partizani sapo kishte barazuar me gol të Bardhit. Nga kjo e dhënë kuptohet se tifozi mund të ketë qenë i kampionëve në fuqi të Shqipërisë.
Sidoqoftë ky nuk ishte momenti i vetëm kur u hodhën flakadanë në fushë. Momente të ngjashme pati edhe në sektorin e tifozëve të Tiranës, sidomos pas rikthimit në avantazh 2-1.
Për t’u theksuar është fakti se përveç flakadanëve në fushë, Stadiumit Kombëtar iu thyen edhe 66 stola, 51 në sektorin jugor Vasilaq Zëri dhe 15 të tjerë në tribunë “Fatmir Frashëri”.
Thyerja e stolave mbetet ende pa autorë.